Zekirja Ramadani i kënaqur me rezultatin, kërkon lojë më të guximshme

Trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, ka folur pas barazimit të së martës, ndaj TNS, me rezultat 2-2.

Feronikeli ishte në disavantazh prej dy golave, por arriti të nxjerrë një barazim tejet të rëndësishëm në minutat e fundit të takimit.

Ramadani thotë të jetë tejet i kënaqur me rezultatin, sidoqoftë kërkon lojë më të guximshme nga minuta e parë.

“Ishte ndeshje e jashtëzakonshme, patjetër që jam i kënaqur me rezultatin, por dua që të luajmë më guximshëm që nga minuta e parë e ndeshjes. Treguam se ekipi e di se çka dëshiron edhe para ndeshjes isha i kënaqur me një barazim me gola, por mënyra se si erdhi barazimi e bëri më të veçantë”, ka thënë fillimisht Ramdani për faqen zyrtare të klubit.

Trajneri i Niklit, ka thënë se në çdo ndeshje po mundohem që ta jetësojnë filozofinë e lojës së tyre.

“Secilën ndeshje po tentojmë çdo herë e më shumë ta jetësojmë filozofinë e lojës sonë, është normale që na mungon eksperienca, por ajo fitohet në duele të tilla. Nga pikat e mira të ndeshjes, dua të veçoj lojën në ajër, ku fituam shumicën prej dueleve, sidomos gjatë fundit të takimit”, ka shtuar ai.

Ai e ka cilësuar si rezultat të favorshëm barazimin 2-2 ndaj TNS-së në Uells, por ka theksuar se duhet të kenë kujdes.

“Tani ky rezultat është më i favorshëm për ne, por duhet të jemi tejet të kujdesshëm, pasi luajmë ndaj një skuadre që ndëshkon çdo gabim. Në ndeshjen e dytë do të doja të shënojmë në fillim, e pastaj të luajmë një lojë të kujdesshme”, tha Ramadani.