Në Kosovë u shënua Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe

Me organizimin e “UN Women” dhe Federatës së Futbollit të Kosovës është shënuar Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe, me ngjarjen “Sporti për Paqe”, ku 50 vajza dhe djem nga komuna dhe komunitete të ndryshme, kanë demonstruar se sporti shërben për të promovuar idealet e paqes, tolerancës, solidaritetit dhe mirëkuptimit.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, ka thënë se sporti është gjuhë universale e bashkëpunimit dhe solidaritetit.

“Ne dëshmojmë çdo ditë se si sportet kanë fuqinë për të ndryshuar pozitivisht jetën, duke sjellë bashkë njerëz nga gjini, fe, moshë, etni dhe gjuhë të ndryshme. Sporti ka një potencial unik që është njohur brenda Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Me anë të sportit, të rinjtë në Kosovë mund të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të realizojnë ëndrrat e tyre”, ka thënë Richardson.

Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vora Nushi, ka thënë se “sportet kanë fuqinë për të transformuar jetën, duke formuar qëndrime ndaj aftësive të grave si udhëheqëse dhe vendimmarrëse, përvetësimi i aftësive të vlefshme në menaxhim, negocim, zgjidhje të konflikteve dhe marrje të vendimeve përmes sportit fuqizon gratë dhe vajzat për tu bërë udhëheqëse në të gjitha fushat e shoqërisë dhe jetës”.

Kjo ngjarje është organizuar në kuadër të projektit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara për Rininë për Paqe, mbështetur nga Fondi për Ndërtimin e Paqes.