Foto: Atdhe Mulla-Kallxo.com

Kosova koritet me cilësinë e barit në stadiumin“Fadil Vokrri” UEFA dha vërejtje

Stadiumi “Fadil Vokrri”, në Prishtinë u përurua me 13 gusht të vitit 2018-të në ndeshjen e Super Kupës ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, të cilën e fituan gjilanasit me rezultat 2-1.

Për renovimin e këtij stadiumi për ta bërë të gatshëm për garat ndërkombëtare për Kombëtaren e Kosovës dhe për ndeshjet para kualifikuese për Ligën e Kampionëve, u investuan diku rreth 10 milionë euro.

Por, muaji mars i këtij viti fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, e gjeti në një gjendje jo të mirë para dy ndeshjeve ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, miqësore dhe Kosovë- Bullgari, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020.

UEFA, para këtyrë dy ndeshjeve i kishte dhënë vërejtje Federatës së Futbollit të Kosovës dhe i kishte bërë kërkes që ta përmirsojnë atë.

Mirëpo, gjendja e fushës duket se ende nuk është në standardet e kërkuara, pasi pas përfundimit të dy ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës me 21 mars dhe me 25 mars, fusha duket ende e rënduar.

Sot në ndeshjen ndërmjet Prishtinës dhe Flamurtarit, në kuadër të Supërligës, duket qartë fusha e rënduar në disa pjesë, e me theks të veçantë në zonën e portierëve.

Se kanë marrë vërejtje për gjendjen e fushës dhe kërkesë për përmirësimin e saj, për KALLXO.com, e ka konfirmuar Diturie Hoxha, nga FFK-ja.

“Kemi marrë vërejtje nga UEFA për gjendjen e fushës me kërkesën për përmirësim. Fusha ka qene e dëmtuar para lojës me Danimarkën dhe Bullgarinë por ne ndërkohë janë ndërmarrë masa dhe gjendja është përmirësuar”,  ka thënë drejtoresha për marketing në FFK.

Ndërkaq, Diturie Hoxha ka bërë të ditur se edhe pse stadiumi “Fadil Vokrri” është në pronësi të Komunës së Prishtinës, shpenzimet për mirëmbajtjen e barit, sigurimin, operatorët e teknologjisë etj, i mbulon FFK-ja.

Këto shpenzime i mbulon FFK-ja, pasi kanë një marrëveshje me Komunën e Prishtinës, MKRS-në.

Sipas saj, këto shpenzime të bëra nga FFK-ja, për mirëmbajtje ne stadiumit do t’i kthehen shtëpisë më të madhe të futbollit në Kosovë, retroaktiv në momentin që komuna edhe financiarisht ta marrë përsipër mirëmbajtjen e stadiumit.

“Stadiumi është në pronësi të Komunës së Prishtinës. Aktualisht, ka një marrëveshje ndërmjet Komunës, MKRS-se dhe FFK, sipas se cilës, kjo e fundit, për shkak te mungesës se buxhetit, i mbulon shpenzimet për mirëmbajtjen së stadiumit. Këto shpenzime përfshijnë punëtorët për mirëmbajtjen e barit, sigurimin, operatoret e teknologjisë dhe mirëmbajtjen, shërbimet publike si rryma, ngrohja, uji dhe shpenzime te tjera direkte. Këto shpenzime do te jene te kthyeshme retroaktivisht ne momentin kur Komuna edhe financiarisht te marre përsipër mirëmbajtjen e stadiumit”, ka zbuluar ajo për KALLXO.com.

KALLXO.com, më poshtë iu sjellë fotografi nga gjendja e fushës së “Fadil Vokrri”, më datën 27 mars 2019.