Këshillat e Mjekut: Efektet e zbardhimit të dhëmbëve

Gjëja e parë që të bën përshtypje te një njeri është buzëqeshja e tij, thotë për KALLXO.com doktor Getoar Hoxha, stomatolog.

Sipas doktor Hoxhës njerëzit kanë filluar të preokupohen me dukjen e dhëmbëve të tyre, përveç efektit të madh në shëndetin e njeriut është edhe efekti estetik të cilit po i jepet shumë rëndësi.

“Zbardhimi i dhëmbëve paraqet një procesë të largimit të ngjyrave dhe njollave në dhëmbë, proces ky i cili realizohet me anë të përdorimit të preparateve të ndryshme e në rradhë të parë të peroksidit të hidrogjenit”, tha doktor Hoxha.

Ai nënvizon se në tre vjetët e fundit zbardhimi i dhëmbëve paraqet procedurën më të popullarizuar estetike dentare me një kohë të shkurtë të arritjes së rrezultateve .

“Arsye tjetër pse është procedurë kaq e popullarizuar është edhe për shkak se njollat në dhëmbë nuk e kursejnë pothuajse askënd, edhe personat të cilët kanë higjienë orale në shkallë ideale prapë hasin në probleme të tilla. Faktorët kryesorë që ndikojnë në ndryshimin e ngjyrës së dhëmbëve janë ushqimi, faktorët e mjedisit dhe mosha”, tha Hoxha.

Sipas doktorit, në ditët e sotme ekzistojnë shumë metoda dhe procedura të zbardhimit të dhëmbëve por kujdes duhet treguar në përzgjedhjen e tyre.

Getoar Hoxha, stomatolog

“Disa prej këtyre produkteve mund të jenë edhe të dëmshme, për atë arsye preferohet që zbardhja e dhëmbëve të bëhet gjithmonë me përkujdesje profesionale të stomatologut ose në bazë të këshillave të tij”, tha ai.

Hoxha thotë se ngjyra natyrale e dhëmbëve përcaktohet nga ngjyra e dentinës sepse shtresa e jashtme e dhëmbëve është transparente.

“Ngjyra e dhëmbëve natyralë krijohet nga reflektimi i dritës në smalt, kombinuar me ngjyrën e dentinës nën të”, tha Hoxha.

Sipas doktorit, pirja e duhanit është një prej faktorëve më dominantë në ndryshimin e ngjyrës së dhëmbëve dhe njollat nga duhani janë shumë karakteristike në ngjyrë të verdhë të mbyllur.

“Përvec njollave, pirja e duhanit shkakton edhe erën e keqe nga goja dhe sëmundje tjera të aparatit mbështetës të dhembit. Kafeja është një produkt tjetër i cili gjithashtu ndikon në ndryshimin e ngjyrës së dhëmbëve”, tha ai.

Hoxha tha se duhet të dihet saktë para se të fillojë procedura e zbardhimit se me çfarë lloje të dhëmbëve kanë të bëjnë mjekët, me dhëmbë vitalë të gjallë apo jo të gjallë avitalë. Ndërsa tha se zbardhimi i dhëmbëve mund të bëhet në shtëpi apo në ordinancë stomatologjike.

“Zbardhimi në shtëpi paraqet një procedurë e cila realizohet me anë të shabllonave të veçantë për secilin pacient. Në këto shabllone vendoset agjenti zbardhues. Me këtë metodë arrihen rezultate realitivisht të sukseshme por është procedurë që merr me shumë kohë diku trajtimi zgjatë 3-4 javë”, tha ai.

Sipas doktorit, zbardhimi në ordinacën stomatologjike realizohet me ndihmën e laserit, procedurë kjo me të cilën në një kohë prej 40 deri në 60 minuta  arrihen rezultate te shkëlqyeshme.

Doktori thotë se zbardhimi i dhëmbëve është proces që arrihet edhe me një higjientë të mirë orale dhe me kujdes ndaj dietës ushqimore.

Doktori rekomandon që dhëmbët të pastrohen rregullisht dhe të i kushtohet rëndësi edhe brushës për pastrim ndërsa thotë se ushqimi me përmbajtje të kalciumit është mik i dhëmbëve të fortë e të bardhë.