Shemsedin Dreshaj në Kuvendin e Kosovës, 27 janar 2022
AAK fillon mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në Shëndetësi
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj në një konferencë për media tregoi se kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme për shëndetësinë dhe sigurimet shëndetësore.
“Është gjendje e mjerueshme në shëndetësi. Vazhdojnë të jenë problemet e njëjta në shëndetësi, me listën e barnave esenciale në SHSKUK, infrastrukturën në shëndetësi si dhe ikja e personelit shëndetësor jashtë vendit. Në shëndetësi ka mangësi ligjore, qeverisja edhe pse ka shumicën parlamentare po vazhdon të prolongoj ligjet bazike në shëndetësi, arsim e shoqëri dhe vazhdohet puna pa strategji në shëndetësi. Qe katër vite po punojmë pa strategji e me veprime ad hoc”- deklaroi Dreshaj.
Dreshaj tha se po mashtrohet me çështjen e sigurimeve shëndetësore.
“Sipas agjendës legjislative është paraparë në fund të qershorit të vij në Kuvend çështja e sigurimeve shëndetësore. Mbesim i vetmi vend në Ballkan dhe Evropë pa sistem të mirëfilltë të sigurimit shëndetësor. Mund të konstatojmë që shëndetësia urgjent të bëhet prioritet i vendit dhe duhen investime urgjente në shëndetësi. Vetëm 8% janë kryer investimet kapitale në shëndetësi deri në fund të shtatorit të vitit që lamë pas, deri në fund të vitit nuk dihet por flitet se ka shkuar në 40%”- deklaroi Dreshaj.
Deputeti Dreshaj, në konferencë tha se si AAK mbështet çdo agjendë që i takon sigurisë, legjislacionit dhe mbarëvajtjes së vendit teksa qëndrimi i Aleancës është që mos ta mbështes këtë legjislaturë.