Hendboll, vajzat e Istogut sërish kampione të Kosovës, mposhtën Vushtrrinë në finale (FOTO)

Istogu ka vazhduar dominimin në garat për Kupën e Republikës së Kosovës në hendboll. Skuadra istogase të dielen në finale të Kupës për sezonin 2018\19 e ka mposhtur Vushtrrinë me rezultat 37:24.

Ndeshja finale u zhvillua në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve” në kryeqytet në një atmosferë shumë të bukur, para rreth 1000 shikuesve.

Lojtaret e Istogut kanë dominuar prej fillimit dhe herët kanë krijuar epërsi që ka shkuar duke u rritur thuajse vazhdimisht. Pas pjesës së parë rezultati ishte 20:13 për istogaset.

Istogu e kishte fituar Kupën edhe vjet, që ishte trofeu i parë për këtë skuadër. Sivjet e ka mbyllur stinorin e rregullt në vendin e parë dhe plejofin do ta nis si favorit. Pranvera Ferataj ka udhëhequr Istogun drejt fitores. Ajo ka shënuar plot 11 gola, kryesisht përmes kundërsulmeve të shpejta. Nga 7 gola i shënuan Elma Kameri, Suzana Ujkiq e Esma Muratoviq. Në nivel ishte edhe portierja Aurora Shehdadi e poashtu lojtaret tjera kanë dhënë kontribut drejt suksesit të madh.

Te Vushtrria e jashtëzakonshme ishte portierja Njomza Kelmendi që ka ndalur shumë goditje të Istogut. Por këtë herë nuk e kishte përkrahjen e duhur nga bashkëlojtaret. Më efikasja ishte Donita Kasumi me 7 gola.

Vushtrria – Istogu 24:37 (13:20)