Foto: Federatat e Hendbollit e Kosovës/Facebook

Historike, Kombëtarja e Kosovës në hendboll siguron kualifikimet e rregullta për “Euro 2026”

Kosova në hendboll i ka siguruar kualifikimet e rregullta të Evropianit që do të mbahet pas dy vjetësh.

Hendbollistët e Kosovës të udhëhequr nga përzgjedhësi Bujar Qerimi, nuk kanë lejuar befasi në ndeshjen e dytë që u zhvillua të shtunë në Derby.

Kosova në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë në mesjavë fitoi 30:22.

Ndërkohë, në duelin kthyes të raundit promovues triumfoi me shifrat 29:23, për të avancuar tutje në fazën e dytë të kualifikimeve.

Njësoj si në Prishtinë, Kosova edhe në Derby kishte epërsi prej dy golave në udhëtim pas pjesës së parë, madje me rezultat identik. 13:11 u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Kosova vazhdoi lojën e mirë për të kaluar në fazën tjetër të kualifikimeve me rezultatin e përgjithshëm 59:45.

Valon Dedaj te Kosova ishte sërish më i dalluari.

Ai ndeshjen e mbylli me gjashtë gola të realizuar nga nëntë tentime.

Pesë gola nga shtatë tentime i pati Leonard Gegaj.

I shkëlqyer ishte Armend Alaj që nga katër gjuajtje pati po aq gola të shënuar.

Nga tre gola shënuan Luigj Quni dhe Bujar Ramosaj. Dy gola i pati Rron Ramadani, ndërsa me nga jnë gol kontribuuan Dominik Palushi dhe Jon Muqolli.

Haris Berisha në portë pati 13 pritje nga 30 gjuajtje.

Nga ana tjetër, te Britania e Madhe, nga katër gola shënuan Reuben Wardle dhe Joshua Max Plumridge./Dukagjini.com