Feronikeli - Trepça '89

Finalja e Kupës: Feronikeli për prestigj, Trepça '89 për gara në Europë

Të premten prej orës 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinës, luhet finalja e Kupës së Kosovës ndërmjet Trepçës ’89 dhe Feronikelit.

Finalet gjithmonë janë të rëndësisë së veçantë për të dy ekipet finalistët. Por, nesër kjo ndeshje do të jetë thelbësore për Trepçën ’89 e cila në rast të triumfit do ta sigurojë fazën e parakulifikimeve për Europa League.

Feronikeli tashmë e ka siguruar fazën e parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve, si kampion i Superligës për sezonin 2018/2019.

Nëse Trepça ’89 nesër do të humbas9 ndaj Feronikelit, atëherë kjo fitore e ekipit nga Drenasi do t’i bënte nder Prishtinës e cila do ta merrte biletën për Europa League në kurriz të humbjes eventuale të mitrovicasve.

Prishtina ka përfunduar sezonin në vendin e dytë në Superligë me 75 pikë.

Për Trepçën ’89 fitimi i Kupës së Kosovës do të ishte shpëtimi i sezonit, pasi në Superligë ka përfunduar në vendin e nëntë, e që të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj lige duhet ta luajë një ndeshje në barazh ndaj Vëllaznimit.

Për xehetarët, pos pjesëmarrjes në Europa League nga triumfi në finale të Kupës së Kosovës, do të jetë me interes edhe përfitimi material nga FFK-ja e UEFA, për daljen në garat europiane.

Ndërkaq, Feronikeli nëse e fiton Kupën e Kosovës, do ta mbyllte sezonin me dy trofetë kryesorë të fituar brenda një jave në futbollin kosovar.

‘Tigrat e Zi’ me fitimin e Superligës, me premitë nga FFK-ja dhe UEFA, e kanë mbushur xhirollogarinë me më shumë se gjysmë milioni euro, e me fitimin e Kupës së Kosovës, veç sa do ta pasuronin konton dhe historinë e klubit.

Feronikeli e ka në duar fatin e Prishtinës për daljen në Europa League

 

KALLXO.com, ka kontaktuar trajner dhe analistë të futbollit për ta parë se cila skuadër pritet të triumfojë në ndeshjen e nesërme.

Trajneri dhe analisti i futbollit, Bekim Shotani, thotë se Feronikeli do të jetë nesër favorit, pasi ka ekip më cilësor.

“Mendoj që është një finale e madhe për dy ekipet. Favorit do të jetë Feronikeli, pasi që ka ekip ma cilësor dhe gjendet në situatë shumë relaksuese pas fitores që arriti kundër Prishtinës dhe u shpall kampion”, thotë Shotani për KALLXO.com.

Shotani thotë se Trepça ’89 do ta ketë presionin e barazhit në mendje por, sipas tij, nëse mitrovicasit motivohen si skuadër atëherë nuk do të ishte befasi që të shpalleshin kampion.

“Pavarësisht që Trepça ’89 është në barazh, do ta kërkojë Europën përmes finales së Kupës së Kosovës. Ata do ta kenë edhe presionin e barazhit dhe kjo mund të ndikojë shumë në aspektin psikologjik dhe psikik të lojtarëve. Do të jetë shumë me rëndësi motivimi i ekipit në këtë situatë. Nëse arrin të motivohet ekipi i Trepçës ’89, atëherë nuk do mungojë edhe befasia, sepse është një finale që të dërgon në Europa League”, shton ai.

Për trajnerin e disa skuadrave kosovare, Feronikeli duhet të hyjë në këtë lojë me seriozitetin më të madh, në të kundërtën do të ketë vështirësi.

“Derisa Feronikeli nëse i hyn kësaj ndeshje si ndeshje të lehtë, do ta ketë shumë vështirë ta mposhtë Trepçën ’89. Edhe Feronikelit i nevojitet motiv shtesë pasi do të jetë vështirë të motivohen lojtarët karshi një Trepçës ’89 që gjendet në barazh. Por, dalja në Europë tani për Feronikelin është realizuar, kurse Trepça ’89 e ka situatën jetike për barazh dhe daljen në Europë”, ka potencuar Bekim Shotani.

Bekim Shotani, trajner i Llapit, Foto: Facebook/ Llapi

Kurse analisti i futbollit dhe trajner i shumë skuadrave kosovare, Ajet Shosholli, thotë se Trepça ’89 nesër do të ketë përfitimin financiar që i sjellë ky trofe, që nënkupton daljen në Europë. Ndërsa për Feronikelin thotë se do të jenë më të relaksuar për arsye se tashmë veçse e kanë fituar një titull.

“Trepça ’89 nesër do të kërkojë rehabilitimin për rezultate të dobëta që i kishte në kampionat, por do të ketë edhe motivim financiar që sjell ky trofe. Dersa Feronikeli do të jetë më i relaksuar për arsye se veç e ka siguruar një trofe tashmë”, thotë Shosholli për KALLXO.com.

Për Shoshollin, ndeshjet e garave për finalen e kupës janë të pa parashikuara dhe sjellin befasi.

“Përndryshe, ndeshjet e garave për finalen e kupës, jo vetëm te ne, por edhe në shumë vende të tjera sjellin befasi dhe shpesh nuk vendos cilësia momentale. Pra, mund të vendosë edhe motivi dhe disponimi momental i njërit ekip”, tha Shosholli.

Ajet Shosholli