Astera Tuhina, 14 vjeçarja që luan me krenari për Kombëtaren e Kosovës

Njëra nga basketbollistet më të talentuara kosovare padyshim është Astera Tuhina.

Ajo është pjesë e skuadrës spanjolle, Promete.

Astera është vetëm 14-vjeçare, kurse luan për Kosovën U-16 dhe U-20.

Tuhina për faqen e FBK-së, ka thënë se është e lumtur që luan për Kosovën dhe e ndihmon vendin e saj.

“Jam shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe mund të ndihmoj vendim tim, qoftë duke luajtur për U-16 apo U-20. Angazhimi im nuk do të mungojë në asnjë ndeshje, gjithmonë e jap maksimumin në fushë”, ka thënë fillimisht Tuhina për FBK-në.

Ajo flet edhe për emocionet që ka të luajë për Kosovën U-20 si 14-vjeçare.

“Është një ndejnë e papërshkrueshme. Kur ju kam thënë bashkëlojtareve në Spanjë, janë habitur. Për mua është nder, por edhe përgjegjësi. Në kampionatin që do të zhvillohet në Prishtinë me U-20, nuk do ta kemi lehtë, por ne do të japim më të mirën tonë. Për mua është një sfidë të ndeshem me 20-vjeçare, por jam e gatshme”, shton tutje Tuhina.

Kampionati Evropian i Divizionit B për vajza U-20 do të zhvillohet në Prishtinë nga 3 deri më 11 gusht. Kosova është në grup me Rumaninë dhe Turqinë.

Ndërkohë, Kosova U-16 në kategorinë e vajzave nga 15 deri më 24 gusht do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni B, në Sofje të Bullgarisë. Kosova në Grupin C së bashku me Sllovakinë, Kroacinë, Norvegjinë, Izraelin dhe Zvicrën.

Ajo i është bashkuar Kosovës U-20, të martën në stërvitje.

“Ndihem shumë mirë. Vashat janë përgatitur deri më tani, kurse të martën ishte stërvitja e parë për mua. Jam e lumtur kur luaj për vendin tim”, ka specifikuar basketbollistja e re.

Në fund ajo ka folur edhe për sezonin e saj në Spanjë.

“Ka qenë shumë i mirë. Kemi pasur një edicion të mirë dhe do të jem pjesë e Promete edhe në sezonin e ri”, përfundoi Astera Tuhina.