
Prishtina triumfon ndaj Bashkimit
KBF Prishtina e ka fituar derbin e xhiros së 12-të në Superligën e vajzave në basketboll, duke e mposhtur KBF Bashkimin me rezultat 82-76, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.
Kryeqytetaset e nisën çerekun e parë furishëm duke e mbyllur me rezultat 23-9.
Lojë të mirë Prishtina shfaqi edhe në çerekun e dytë duke e fituar me rezultat 23-13, duke shkuar në pushim me epërsi prej 46-22.
Vashat e Bashkimit u këndellën në pjesën e dytë, duke e fituar çerekun e tretë me rezultat 28-21.
Bashkimi e fitoi edhe çerekun e katërt me rezultat 26-15, por Prishtina fitoi falë epërsisë së krijuar në dy çerekët e parë me rezultat 82-76.
Më e mira te Prishtina ishte Irma Konjusha me 35 pikë e tetë kërcime, kurse te Bashkimi u dalluan Jeta Zeka me 28 pikë e pesë kërcime dhe Saranda Daci me 23 pikë e 13 kërcime.
Prishtina tani ka 10 fitore dhe dy humbje, derisa për Bashkimin ishte fitorja e parë pas 11 fitoreve radhazi në Superligë.
Në takimet tjera të kësaj xhiro, Penza ka mundur Trepçën me rezultat 66:46 (17:4, 13:18, 19:10, 17:14). Vashat pejane tani kanë tetë fitore dhe katër humbje, kurse ato mitrovicase, katër fitore dhe tetë humbje.
Vëllaznimi ka shënuar fitoren e parë në këtë edicion, duke mundur Kastriotin në udhëtim 40:91 (8:18, 15:24, 6:26, 11:23). Më e merituara për këtë fitore ishte padyshim Aisha Khaid me 41 pikë të shënuara.