Dr.AFRIM GASHI - Reumatolog

Artriti reumatoid, diagnostifkimi dhe trajtimi në Kosovë

Shumë qytetarë të Kosovës vuajnë nga Artriti Reumatoid e cila është sëmundje autoimune inflamatore sistemike, me natyrë kronike në të cilën sistemi imunitar i atakon indet e vetvetes, veçanërisht mbështjellësin e nyjave duke shkaktuar humbje të kërcës së nyjës dhe erozion të ashtit nën të.

Gjendja inflamatore e zgjatur rezulton me dëmtim progresiv dhe deformim të parikthueshëm të nyjes, si dhe tek një numër i rasteve, në zhvillimin e manifestimeve inflamatore extra-artikulare në organet si zemra, mushkëritë, sistemi nervor dhe sytë.

Gratë janë 3 herë më të prekura nga sëmundja sesa burrat. Ndonëse, Artriti Reumatoid mund të prezantohet në secilën moshë, në mënyrë tipike, tek gratë sëmundja fillon në moshë të mesme, ndërsa tek burrat në dekadën e 6 – 8-të të jetës.

Zakonisht, fillimi i sëmundjes është gradual, me dhimbje simetrike të nyjave, ënjtje, skuqje dhe shtangim të nyjave të vogla të shuplakës, të shputës dhe të kyçit të dorës. Shtangimi është më i ashpër në mëngjes dhe në shumicën e rasteve zgjatë 30 minuta apo më shumë.

Simptomat mund të jenë të kohëpaskohshme, me faza të përmirësimit dhe të përkeqësimit apo ndezjes inflamatore. Përfshirja e nyjave të mëdha, simptomat sistemike dhe veçoritë extra artikulare janë gjithanshme të mundshme. Për shkak të inflamacionit të përgjithshëm mund të shfaqet lodhja, humbja e apetitit dhe temperatura e shkallës së ulët.

Diagnostikimi i artritit reumatoid bazohet në kriteret klinike të cilat përcaktohen pas vlerësimit të: historisë së sëmundjes, historisë familjare, ekzaminimit të përgjithshëm fizik, testeve radiologjike si; rrezet X, ultrazëri apo rezonanca magnetike( për vizualizimin e nyjave) dhe testet laboratorike të gjakut ( për përcaktimin e antitrupave specifike, të proteinave të fazës akute inflamatore dhe analizave të tjera rutinore).

Trajtimi i Artritit Reumatoid bëhet me qëllim të ndërprerjes apo zvogëlimit të inflamacionit dhe arritjes së remisionit, lehtësimit të simptomave, parandalimit të dëmtimit të nyjave dhe organeve si dhe uljes së komplikimeve afatgjate, përmirësimit të funksionit fizik dhe mirëqenies së përgjithshme.

Përveç modifikimit të mënyrës së jetesës që përfshin konsumimin e ushqimit të shëndetshëm, zvogëlimin e stresit dhe mbajtjen e balancës mes pushimit dhe aktivitetit fizik, për mbajtjen e sëmundjes në kontrollë dhe lehtësimin e dhimbjes është i nevojshëm edhe përdorimi i medikamenteve të përshkruara nga mjeku.