Mishi me afat të skaduar i konfiskuar në Prizren. Foto: Mytaher Haskuka/ Facebook

Mytaher Haskuka Denoncon Mishin e Skaduar në Një Qendër Tregtare të Prizrenit

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka denoncuar një rast të gjetjes së mishit me afat të skaduar në një nga qendrat më të mëdha tregtare të kësaj komune, në kohën kur prania e mishit të prishur në marketet kosovare është bërë një nga temat kryesore të preokupimit qytetar.

Haskuka, në një postim në Facebook, ka shpërndarë fotografi të mishit të gjetur gjatë aksionit tërë javor të inspektimit të mishit në Komunën që e drejton.

Ai tha se sot është hasur në mish me afat të skaduar, në njërën prej qendrave më të mëdha tregtare në qytet.

“Inspektorët komunalë fillimisht kanë vërejtur se mishi ka pësuar ndryshime organoleptike (ngjyra, shija dhe era e mishit janë tjetërsuar). Pas kontrollit të dokumentacionit është konstatuar se këtij mishi të importuar nga Holanda i kishte kaluar edhe afati”, tha Haskuka në postimin që e ka shoqëruar me plot fotografi.

“Mishi në sasi prej 720 kg. është konfiskuar menjëherë, ndërsa me ndihmën e kompanisë rajonale “Ekoregjioni”, gjatë ditës së sotme, është asgjësuar me mjete përkatëse kimike”, tha ai.

“Shëndeti i qytetarëve është në rend të parë. Nuk do të ketë tolerime ndaj asnjë kompanie që konsumatorëve u shet ushqim të prishur. Rasti i sotëm i është përcjellë Prokurorisë”, u shpreh Haskuka.

Të premten emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi pamje ekskluzive të operacionit të prokurorisë dhe policisë në fabrikat e përpunimit të mishit ku shiheshin minj të ngordhur në mjediset e një fabrike.

Minj të Ngordhur në Fabrikën e Mishit