Asgjësohen rreth 2,000 kilogramë mish dhe produkte mishi të dyshimtë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se të premten ka organizuar një aksion të përbashkët kontrolli me Policinë pas pranimit të informatës se në disa kompani që si veprimtari të tyre kanë ushqimet janë duke u kryer veprime të kundërligjshme.

Sipas zëdhënësit të Agjencisë, Lamir Thaçi, këto veprime të kundërligjshme janë manipulime me afatet e skadencës së produkteve ushqimore, shitja dhe përpunimi pas afatit të skadimit dhe të ngjashme.

Ky njoftim vjen pas interesimit të KALLXO.com pasi disa burime të KALLXO.com kanë raportuar se ky aksion është duke u bërë në depot e kompanisë “Buquku” në Pejë.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për një sasi të mishit rreth 1,000 kg, të cilat janë gjetur në këto depo dhe janë kontrolluar nga Policia në Pejë – Departamenti i krimeve ekonomike, dhe AUV.

Zyra për media e Prokurorisë së Pejës e ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti është duke u trajtuar dhe hetuar në drejtim të veprës penale – vënia në qarkullim e produkteve të dëmshme ushqimore.

“Pasi që është kontaktuar Prokurori i shtetit, i njëjti e ka ndaluar për 48 orë personin përgjegjës të kompanisë. Njëkohësisht është hapur edhe ndaj personit juridik rasti” – kanë thënë nga Prokuroria e Pejës për KALLXO.com.

Në anën tjetër, sipas AUV, në këtë aksion nga tri grupe të ndara me ekipe janë inspektuar dy lokacione në regjionin e Mitrovicës, dy të tjera në regjionin e Prishtinës dhe një lokacion në regjionin e Pejës.

Në regjionin e Pejës bëhet fjalë për kompaninë ”Buquku”, në të cilën janë asgjësuar 1,550 kg mish dhe produkte mishi.

“Në regjionin e Pejës është kontrolluar fabrika e përpunimit të mishit “Buquku”, në të cilin ekipi i kontrollit ka gjetur një sasi prej 1,550 kg mish dhe produkte mishi, të cilat janë futur në ngrirje të thellë dhe kanë qenë të vendosura në qese plastike në të cilat nuk ka pasur kurrfarë deklaracioni mbi origjinën dhe datën e skandecës. Ato menjëherë janë konfiskuar dhe asgjësuar në deponinë e mbeturinave” – ka bërë të ditur Thaçi për KALLXO.com.

Mirëpo, në hapësirat e linjës së përpunimit të kësaj fabrike, sipas Thaçit, nuk është vërejtur ndonjë parregullsi.

Ndërsa, në regjionin e Mitrovicës janë inspektuar dy mishtore të kompanisë ‘’Apetit’’, njëra në komunën e Vushtrrisë dhe tjetra në komunën e Mitrovicës, dhe është asgjësuar një sasi e mishit.

“Inspektorati veterinar gjatë inspektimit ka gjetur dhe asgjësuar një sasi të vogël të mishit dhe produkteve të mishit në sasi prej 69 kg, si dhe aty është gjetur një sasi prej 10 kg biber dhe shtesa ushqimore (sojë) të cilat kanë qenë pa dokumentacion” – ka njoftuar Thaçi.

Më tej, Thaçi ka treguar se në regjionin e Prishtinës, ku është kontrolluar depoja e ruajtjes së produkteve ushqimore e “Kosmonte Foods “, në këtë rast AUV nuk ka gjetur apo evidentuar ndonjë shkelje.

Por, e njëjta nuk ka ndodhur në restorantin “Kosmonte”.

“Ndërsa në restorantin “Kosmonte” është asgjësuar një sasi e mishit dhe produkteve të mishit prej 7 kg të cilat nuk kanë poseduar deklaracion” – ka shtuar Thaçi.

Sipas AUV, ndaj këtyre bizneseve ku janë evidentuar shkelje ligjore do të ndërmerren masa bazuar në legjislacionin në fuqi.

(Ky artikull është edituar në titull)