Vetëm 800 euro gjobë të akuzuarit që vuri në qarkullim 250 kilogramë mish të prishur

Një vendim i Gjykatës së Pejës tregon se një të akuzuari i është shqiptuar 800 euro gjobë për vënien në qarkullim të 250.5 kilogramëve mish të prishur.

Të akuzuarit B.M., akuzohej për veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor” e kualifikuar me nenin 261 paragrafi 2 e qe parasheh dënim me burgim deri në 2 vite.

“Me dënim me gjobë në shumën prej 800 (tetëqind) euro, e të cilat dënimi kanë për tu ekzekutuar në afat prej 90 (nëntëdhjetë)ditësh pasi që ky aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm” thuhet në arsyetim të aktgjykimit.

B.M., e ka pranuar fajësinë për vënien në qarkullim të mishit të prishur.

Rasti pretendohet të këtë ndodhur në mars të vitit 2020 në mishtoren e tij e po ashtu në kombin e tij ka poseduar për qëllime të shitjes mish dhe produkte të mishit pa u bërë kontrolli paraprak i nevojshëm nga veterinari.

Dosja e prokurorisë thotë se gjatë bastisjes në objektet e lartcekura është gjetur mishi në peshe prej 250.5 kg si qebapë, mëlçi gjedhi, qofte me mish gjedhi, virshlle, hurmagjik, mish i grilë, të cilit nuk i dihet prejardhja dhe ishin të pa damkosura.

Nga  Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë-AUV, është konstatuar se nuk i ka plotësuar kushtet ligjore që të nxirret në treg, i cili mish në prezencën e inspektorëve sanitar është konfiskuar dhe asgjësuar.

Për këtë vepër të akuzuarit i është shqiptuar dënimi me gjobë prej 800 eurove.

Gjykata me rastin e matjes se dënimit ka gjetur 5 rrethana lehtësuese e asnjë dënuese.

Si rrethana lehtësuese për të pandehurin gjykata mori sjelljen korrekte në gjykatë, pranimin e fajësisë, pendimin për veprën e kryer dhe premtimin se në te ardhmen nuk do të kryej vepra penale si dhe faktin se i njëjti më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin dhe nuk është dënuar me ndonjë aktgjykim.

Gjyqtari i rastit është Murat Hulaj, ndërsa prokuror Dorian Juniku.