Mustafa në BIK | Foto: Zyra e Kryeministrit

Mustafa: I Lutemi Zotit që Vendi të Bëjë më Mirë

Isa Mustafa, kryeministri në detyrë e vizitoi sot Bashkësinë Islame të Kosëvën në ditën e Festës së Kurban- Bajramit.

Mustafa në fjalën e tij gjatë vizitës, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, tha se në këtë ditë lutemi që vendi të bëjë më mirë.

“Po shfrytëzoj rastin që edhe këtu në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës t’u uroj gjithë besimtarëve myslimanë Festën e Bajramit, një festë në të cilën ne i lutemi Zotit për paqe, për prosperitet, për mirëqenie dhe për sakrifica të përbashkëta të cilat ne duhet gjithë t’i bëjmë, në mënyrë që edhe njerëzimi, edhe vendi ynë të bëjë më mirë”, tha Mustafa.

Kryeministri në detyrë falënderoi edhe Bashkësinë Islame për punën e saj.

Manifestimi qendror i faljes së namazit të Kurban- Bajramit u bë në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ndërsa drejtuesit fetarë në porosinë e tyre të sotme u bënë thirrje politikanëve dhe qytetarëve që amanet mbi amanetet është fuqizimi i shtetit.