Fatmir Matoshi- Ministër

Ministri i Mjedisit kërkon hetime lidhur me pretendimet për ryshfet

Sot, gjatë seancës së jashtëzakonshme ku flitej për monopolin në homologim, deputeti Milam Zeka tha se Ministria e Ambientit i kanë kërkuar ryshfet një biznesi privat për të ndërtuar një hotel në Brezovicë.

Pse nuk po tregojnë që ministritë tona janë me e shkatërru biznesin privat, me e blloku investimin e mërgatës shqiptare këtu. Një biznesmen i quajtur Sabri Novosella, pronar i ‘Nanës Naile’  ka kërkuar me ndërtu një hotel ne Brezovicë me pesë yje, Ministria e Ambientit i ka kërkuar 800 mijë euro ryshfet, pastaj  kanë ra në 600 mijë euro plus dy banesa në Prishtinë. I kanë thanë banesat në Prishtine e jo në Brezovicë sepse problem me i shitë”, tha deputeti Zeka.

Pretendimet e Zekës i ka konfirmuar edhe vetë biznesmeni, Sabri Novosella.

KALLXO.com ka kontaktuar ministrin aktual të Ambientit dhe Planifikimit Hapsinorë, për të pyetur rreth këtyre deklarimeve të deputetit Milaim Zeka.

Fatmir Matoshi, ministër në këtë dikaster ka thënë se nuk e di se për kë e ka fjalën Zeka, ndërsa paralajmëroi se do të kërkoj nga organet e drejtësisë që të zbardhin rastin.

“Unë nuk e di për kë e ka fjalën deputeti Zeka. Unë mund të them se për momentin jam duke shkuar në një mbledhje komomerative dhe sa të dal prej saj, do t’i ftoj organet përgjegjëse, hetuesinë me u taku dhe do të kërkoj zyrtarisht prej tyre me e zbardh këtë rast sa më shpejt”, tha ministri i Ambient dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

“Unë për vete, nëse nuk gaboj pronarin e “Nënës Naile” e kam takuar një herë në 2003- 2004, asnjëherë tjetër”, tha tutje ai.

“Krejt çka po du me ditë është me e zbardhë sa më parë. Këtë e ka thënë deputeti, atij i ka thënë dikush, domethënë dikush i ka faktet… Pres edhe nga deputeti të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe e falënderoj për këto informacione”, tha në fund Matoshi.