Biznesmeni konfirmon se i kërkuan 800 mijë euro ryshfet për hotelin në Brezovicë

Njëri nga pronarët e banjës ‘Nëna Naile’, Sabri Novosella e ka konfirmuar se atij i janë kërkuar një herë 800 mijë euro e më pas 600 mijë euro dhe dy banesa në këmbim të lejes së ndërtimit për një hotel në Brezovicë.

“Mu më janë kërku 800 mijë euro ryshfet, pas debatit që e ka pasur përfaqësuesi im e kanë zbrite në 600 mijë euro edhe dy banesa në Prishtinë se nuk po na shiten, se aq shumë kanë banesa që ua kanë marrë njerëzve, po iu duhen banesat në Prishinë e jo në Brezovicë”, ka thënë Novosella për Kallxo.com.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, para deputetëve e ka akuzuar Ministrinë e Mjedisit se ka kërkuar ryshfet nga biznismeni Novosella.

Kallxo.com ka kontaktuar me Novosellën dhe ai ka thënë se gjithçka që ka thënë Zeka në Kuvend janë të vërteta.

“Çka tha Milaim Zeka janë të vërteta. Unë kam nevojë me mu dhonë lejet e ndërtimit që i kam kërku qe 5 vjet në tokën time në Brezovicë, e ato punë qysh janë zhvillu duhet me u marrë Gjykata, nëse ka Gjykatë. Unë kërkoj me mu dhonë leja, i kam me dokumente me krejt. Nëse kam gënjy unë dhe Milaim Zeka dërgonani në burg e nëse kanë kërku bandat 800 mijë apo 600 mijë edhe dy banesa, shkojnë ata në burg”, ka theksuar Novosella.

Kallxo.com ka insistuar për të marrë përgjigje se gjatë mandatit të cilit ministër të Mjedisit i është kërkuar ryshfeti por Novosella ka hezituar të përgjigjet.

“Ju lutem, këto janë punë të Gjykatës”, ka përfunduar ai.

Biznesi i Novosellës  është i regjistruar me emrin “SPITALI EUROMED – NËNA NAILE SH.P.K”, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve. Aty thuhet se Novosella ka 15 për qind të kapitalit të kompanisë që e ndan edhe me katër persona të tjerë.

Milaim Zeka: Ministria e Ambientit ka kërkuar ryshfet nga biznesmeni që kërkonte të ndërtonte në Brezovicë

.