Me pretendimet për keqpërdorime, Avokati i Komunës ushtron kallëzim penal ndaj Qëndron Kastratit

Shefqet Rexha, Avokat i Komunës së Kamenicës i cili për momentin është i pezulluar nga puna ka ushtruar Kallëzim Penal ndaj kryetarit të po kësaj komune Qëndron Kastratit.

Avokati Rexha kallëzimin e ka ngritur për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Kallëzimin Penal që ka siguruar KALLXO.com, avokati Rexha ka thënë se kallëzimin e mbështet në faktet dhe dyshimet që ka ndaj keqpërdorimit të pozitës së Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastratit.

Avokati dyshon se Qëndron Kastrati i ka shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Kamenicës në vlerë prej 12 mijë e 500 euro.

“Dyshoj se zyrtari më i lartë administrativ Qendron Kastrati me vetëdije të plotë i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal duke i mbajtur ne pozitat e drejtoreve katër drejtor të shkollave pa asnjë dokument respektivisht pa kontrate pune duke i shkaktuar komunës dëm të buxhetit pasi qe këta drejtorë të shkollave janë paguar edhe pasi u kishte skaduar kontrata. Dëmtimi i buxhetit për një muaj mund të jetë 2 mije e 500 euro ndërsa dyshoj se kjo pagese është bërë mbi 5 muaj, janë paguar pa bazë ligjore e ku dëmtimi i buxhetit mund të kap shumën prej më shumë se 12 mijë e 500 euro”, shkruan në Kallëzimin Penal të avokatit Rexha kundër Qëndron Kastratit.

Sipas avokatit Rexha, Kastrati ka bërë shkelje të dispozitave ligjore për arsimimin para universitar ku thuhet qartë se kur mund të caktohet një ushtrues detyre i drejtorit dhe atë vetëm kur mungon për arsye shëndetësore ose të lehonisë, po ashtu shkelje tjetër avokati ka konstatuar se Kastrati ka shkelur dispozitat e Udhëzimit Administrativ të MASHT-it ku thuhet se “konkursi për drejtor të shkollës shpallet së paku tre muaj para skadimit të mandatit të drejtorit” dhe shkelja tjetër sipas avokatit është ajo e dispozitave ligjore për shërbimin civil ku thuhet se “në rast të mbetjes së një pozitë të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se 3 muaj ndërsa në rastin konkret kemi drejtor që Kryetari i Komunës i ka vazhduar mandatin për 14 muaj si ushtrues detyre pas skadimit të kontratës”.

Avokati gjithashtu ka dhënë edhe arsyetime të tjera.

“Pra Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati me nënshkrimin e tij si punëdhënës i ka vazhduar pa asnjë bazë ligjore mandatin katër drejtorëve, respektivisht dy drejtor janë pagua pa pasur kontratë dhe as një vendim për ushtrues detyre nga muaji janar deri në mars dhe po ashtu, dy drejtorëve të tjerë i ka pagua pa mbulesë nga muaji shkurt deri në mars të këtij viti”, thuhet në Kallëzimin Penal të avokatit Rexha kundër Qëndron Kastratit.

Në kallëzimin e siguruar nga KALLXO.com, avokati ka thënë se ka siguruar edhe prova si shkresa të listës së shkollave ku shihet skadimi i mandatit të katër drejtorëve dhe lista e pagave për muajin prill për katër drejtorët në të cilat edhe dëshmohet se janë paguar në kundërshtim me ligjin.

Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku i tha shkurt KALLXO.com se kanë pranuar kallëzimin penal dhe janë duke e trajtuar lëndën.

Zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti pretendon se Kryetari Qëndron Kastrati nuk ka qenë i informuar në lidhje me kallëzimin penal.

“Kryetari nuk ka qene i informuar për një gjë të tillë dhe në momentin që ka dëgjuar për këtë çështje i ka kërkuar zyrtareve sqarime të cilët e kanë siguruar qe jemi në rregull me procedurat dhe ligjet. Sidoqoftë kemi kërkuar edhe raport të shkruar për këtë punë dhe së shpejti do të na dërgojnë një raport shpjegues për gjithë procesin”, thuhet në përgjigjen e Rashitit drejtuar KALLXO.com.

Tutje ajo ka thënë se Kryetari Kastrati, ka emëruar ushtrues detyre të drejtoreve të shkollave bazuar në mundësitë ligjore.

“Ata janë emëruar bazuar në arsyen e propozimit të një grupi të eksperteve për reformën në arsim në komunën tonë që nënkupton fuzionimin e shkollave. Meqë jemi në përfundim të diskutimeve dhe në prag të një vendimi për riorganizimin e shkollave, ka qene e nevojshme mos të organizojmë procedura të rekrutimit duke ditur që për një kohe të shkurtër ndryshon numri i shkollave, rrjedhimisht edhe numri i drejtoreve”, ka shtuar Rashiti.

Në fund të përgjigjeve, Rashiti i ka thënë KALLXO.com se Avokati Shefqet Rexha i cili ka dërguar Kallëzim Penal në prokurori kundër kryetarit Kastrari është i pezulluar nga puna ndërsa i njëjti dyshohet për keqpërdorime.

“Gjithashtu, personi në fjalë që ka dorëzuar kallëzim penal është paraprakisht i pezulluar nga puna dhe se ky veprim është tendencioz. Po ashtu dyshohet për keqpërdorime, gjë për të cilën janë iniciuar procedurat përkatëse”, ka thënë Rashiti për KALLXO.com.

Gjithashtu KALLXO.com ka siguruar edhe vendimin e Komunës së Kamenicës në lidhje me pezullimin e Avokatit të kësaj komune, Shefqet Rexha.

Sipas vendimit, Avokati Rexha është pezulluar me pagesë nga puna që nga 20 qershori.

Arsyet e pezullimit sipas vendimit është një kërcënim.

“Nën punësi civil Shefqet Rexha, për shkak të veprës së kërcënimit, e cila do të dëshmohet para organeve kompetente me të gjitha provat dhe dëshmitë e nevojshme dhe që i kemi në dispozicion, pezullohet nga ushtrimi i detyrave në kohëzgjatje prej tre muaj në pritje të një hetimit”, thuhet në vendimin e Kryetarit Qëndron Kastrati.