MAShT reagon pasi SBAShK-u paralajmëroi padi ndaj ministrit Bytyqi

Këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi ka reaguar pasi që Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës – SBAShK, paralajmëroi që do të bëjë padi ndaj ministrit, Shyqiri Bytyqi për vendimin e kompensimit të orëve.

Gashi në një prononcim për KALLXO.com tha se vendimi është marrë në bashkëpunim me DKA-të dhe se ky vendim ka bazë ligjore.

“Forma e vendimit të kompensimit të orëve është bërë në bashkëpunim me komunat. Tek çështja e bazës ligjore në të cilën po thirren ata, sigurisht se ka bazë ligjore sepse është udhëzimi i vitit kalendarik, i cili thotë shumë qartë se nëse për çdo rast ndryshon orari gjatë vitit, ministria merr vendim të veçantë”, tha ai.

Këshilltari i ministrit po ashtu tha se ky vendim është marrë për të mirën e nxënësve të Kosovës.

“Asnjë ligj nuk e ndalon kompensimin e orëve të humbura, nuk ka ndonjë ligj që flet për këtë siç thonë ata dhe mbi të gjitha qëllimi i krejt këtij vendimi është në interes të nxënësve me qëllim të rikoperimit të orëve të humbura. Vendimi është marrë dhe ai duhet respektuar”, tha Gashi për KALLXO.com.

 

 

https://kallxo.com/keshilli-i-prinderve-mirepret-kompensimin-e-oreve-te-humbura-per-shkak-te-greves-ne-arsim/

.