MAShT: Çdo orë e humbur gjatë grevës do të zëvendësohet

Megjithëse ende nuk ka vendim të qartë lidhur me mënyrën se si do të kompensohen orët mësimore të humbura në grevë, sipas Ministrisë së Arsimit, kompensimi është i paevitueshëm.

Rreth 300 mijë nxënës të Kosovës që kishin humbur orët e mësimit gjatë grevës tre javore në janar të këtij viti.

Këshilltari i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi tha për KALLXO.com se orët e humbura gjatë grevës do të kompensohen.

“Lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës kemi zhvilluar takim me drejtorët e DKA-ve, ku kemi diskutuar dhe marrë sugjerime nga secili prej tyre për kohën dhe mënyrën më të mirë për zëvendësim. Por, ne ende jemi duke marrë raportet e permbledhura nga komunat dhe pasi të mbyllet edhe ky proces, ne do të dalim me vendim të detajuar. E rëndësishme është që çdo orë e humbur do të zëvendësohet”, tha Gashi.

Ai shtoi se kjo gjë është e bazuar edhe në  Udhëzimin Administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/2019, ku qartë thuhet se për çdo ndryshim të kalendarit, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë (MASHT) merr vendim të veçantë.

Në anën tjetër KALLXO.com gjatë ditës ka tentuar të marrë një mendim nga ana e SBAShK rreth kësaj çështje, por se këta të fundit deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Megjithëse Sindikata e Bashkura për Arsim, Kulturë dhe Shkencë gjatë grevës kishte deklaruar se këto orë nuk do të kompensohen, javë më parë kjo sindikatë kishte thënë se do të mundohen ta gjejnë një mënyrë që të bëhet zëvendësimi i tyre.

Vjollca Shala, nënkryetare e SBAShK kishte thënë për KALLXO.com se kanë kërkuar nga kryetarët e kësaj sindikate nëpër komuna që të bisedojnë me mësimdhënësit.

“Sa i përket kompensimi të orëve e kemi thënë edhe më herët se sipas Ligjit për Greva nuk janë të obliguar që të bëjnë zëvendësimin e orëve. Mirëpo ne si SBASHK kemi kërkuar nga kryetarët e niveleve komunale që të bisedojnë me kryetarët e shoqatave dhe me anëtarësinë në mënyrë që të gjendet forma për zëvendësimin e orëve mësimore”, kishte thënë Shala.

Ndryshe, greva tri javore e mësimdhënësve ishte bërë për shkak të mos kënaqësive të mësimdhënësve të tyre për Projektligjin për Paga..

Ndërsa, vlen të theksohet se  në Ligjin për arsimin parauniversitar në Kosovë thuhet se “Ministria duhet të nxjerrë akte nënligjore lidhur me: kalendarin shkollor dhe periudhën kohore të vitit shkollor në kuadër të Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës dhe kohëzgjatjen e orës së mësimit dhe pushimeve shkollore ose festat”.

Në bazë të udhëzimit të MASHT-it, nxënësit e shkollës së mesme të lartë-maturantët janë të obliguar të mbajnë 160 ditë mësim ose 32 javë.

Nxënësit e klasës 9,10, dhje 11 janë të obliguar me 175 ditë mësim ose 35 javë. Kurse nxënësit e klasave 1-8 dhe fëmijët parashkollorë, janë të obliguar me 184 ditë mësim ose 37 javë.