Takimi i ministrit Valdrin Lluka me studentët e FIEK, Foto: Facebook

Lluka Takohet me Studentët për Rritjen e Interesimit për Elektroenergjetikë

Rreth 20 studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) e kanë vizituar sot Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, të cilët kanë biseduar me ministrin Valdrin Lluka për perspektivën e sektorit energjetik, nevojat e këtij sektori për profesionin si dhe për të ardhmën e këtij drejtimi në FIEK ku së fundmi janë mbyllur programet për nivelin Master dhe PhD.

Ditë më parë ministri Lluka e kishte vizituar FIEK-un dhe ishte takuar me dekanin e FIEK-ut, Enver Hamitin. Ky takim u zhvillua tetë ditë pas premtimit që e kishte dhënë ministri gjatë Forumit të 3-të të Energjisë se do t’i kushtoj vëmendje Fakultetit të Elektroenergjetikës pas shqetësimit të ngritur për mbylljen e programit master dhe doktoraturës.

Ministri Lluka ka shkruar në Fcebook se gjatë takimit me studentët janë pajtuar që të punojnë së bashku në nxitjen e studentëve që të ketë më shumë interesim në drejtimin e elektroenergjetikës.

“Të krijohet një databazë me të gjithë personat që mbajnë titullin magjistër dhe doktor shkence në fushën e elektroenergjetikës dhe të kemi një takim pune me të gjithë personat e listuar (përgjegjës: MZhE dhe studentët)”, ka shkruar Lluka.

Ata gjithashtu janë dakorduar që praktika nga studentët të filloj që nga viti i parë dhe të mos mbetet obligative veç në vitin e fundit.

“MZhE të siguroj marrëveshje me operatorët privat të licencuar për energji të ripërtrishme si dhe me ndërmarrjet publike në fushën e energjisë. Mundësisht, MZhE të siguroj një buxhet simbolik ose të bashkëpunoj me Ministri tjera për pagesë të praktikës (MZhE)”, ka thënë Lluka.

Po ashtu ata janë pajtuar që planprogrami të përfshijë lëndë profesionale elektroenergjetike që nga viti i parë dhe jo vetëm nga viti i fundit (MZhE me Ministri të Arsimit dhe ekspert të fushës).

“Të sigurohet një buxhet për studentë të shkëlqyer për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare apo universitete verore në fushën energjetike (MZhE përmes donatorëve)”, ka theksuar ministri Lluka.

Një rezultat tjetër i këtij takimi është edhe sigurimi i rreth 40 bursave për studentë që regjistrohen në drejtimin e elektroenergjetikës. Bursat do të mbulojnë shpenzimet e jetesës për 3 vite dhe do të jenë të bazuara vetëm në merita dhe jo në raste sociale (MZhE dhe donatorë).

“Financimi i ndonjë eksperti apo trajnuesi të huaj dhe vendor, në fushën energjetike, për të mbajtur ligjeratë tek studentët e elektroenergjetikës (MZhE). Sigurimi i rreth 10 bursave në nivelin master, jashtë vendit përmes programeve të ndryshme (MZhE)”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Studentët dhe ministri Valdrin Lluka janë pajtuar që takimi i tyre i radhës të jetë pas 1 muaji.

“I falënderoj studentët për kontributin dhe për dëshirën e tyre të shohin FIEK-un të përparuar dhe me kapacitete të shtuara”, ka përfunduar Lluka në postimin e tij.

Ditë më parë KALLXO.com ka shkruar për mungesën e profesorëve në Fakultetin e Elektroenergjetikës, programet e pa akredituara dhe interesimin e nxënësve për të ndjekur studimet në këtë fakultet.

Elektroenergjetika, me Perspektivë por S’ka Profesorë dhe Programe të Akredituara