Ministrja Arbërie Nagavci dhe ambasadori i Hungarisë, Bela Boszik duke nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit, Foto: MAShTI

MAShTI: 225 studentë kosovarë do të mund të studiojnë në universitetet prestigjioze të Hungarisë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se 225 studentë kosovarë do të kenë mundësi të studiojnë në universitetet prestigjioze të Hungarisë duke nisur nga viti akademik 2024/2025.

Kjo është arritur pasi MAShTI ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, për Programin e Bursave “Stipendium Hungaricum”, për vitet 2024 – 2026.

“Qëllimi i këtij Memorandumi është të lehtësojë dhe zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, duke kontribuar kështu, në një bashkëpunim reciprokisht të dobishëm në fushën e arsimit të lartë” – thuhet në njoftimin e MAShTI-t.

Me këtë rast, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka falënderuar Qeverinë e Hungarisë për mbështetjen financiare të studentëve nga Kosova ndër vite, me theks mbështetjen e cila pritet që të ofrohet përmes këtij memorandumi, përgjatë dy viteve.

Sipas ministres Nagavci, përgatitja e kuadrove në fusha të caktuara me interes për shoqërinë, është shumë e rëndësishme për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.

Kurse ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Bela Boszik, është zotuar për bashkëpunim më të gjerë në fushën e arsimit.

Sipas njoftimit nga MAShTI, në kuadër të këtij programi, Hungaria do të ofrojë çdo vit 75 bursa Bachelor, Master, dhe PhD për studentët kosovarë që duan të studiojnë në universitetet hungareze në drejtimet Shkenca Natyrore, Bujqësi, Shkenca Shoqërore, Arte dhe Shkenca të Humanizmit, Art dhe Dizajn dhe të tjera.