Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. FOTO: KALLXO.com

Ministrja Nagavci ua ndan 229 mijë euro studentëve që patën lëshime teknike gjatë aplikimit për bursë elitare

229 studentëve, të cilët kanë aplikuar për bursë elitare, por që kanë pasur lëshime teknike gjatë aplikimit në platformën e-Kosova, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka vendosur, megjithatë, t’ua ndajë bursën.

Këto lëshime teknike janë bërë të ditura në listën e këtyre studentëve. Shumicës prej tyre u mungon faqja e dytë e certifikatës së notave, disa të tjerëve faqja e parë apo nuk e kanë bashkangjitur asnjërën faqe të saj.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit se a i ka kërkuar dhe pranuar dokumentet e munguara të studentëve, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

“Studentët i kanë plotësuar kriteret për të qenë përfitues, por gjatë aplikimit në platformën e-Kosova, nuk e kanë bashkëngjitur faqen e parë, të dytë apo asnjërën” – thuhet në vendimin e ministres Nagavci që mban datën e sotme, 13.02.2024.

Sipas këtij vendimi, për vitin akademik 2023/2024 tashmë janë 1,876 përfitues të bursës elitare, nga 1,647 sa kanë qenë.

Vlera e bursës elitare është 1,000 euro, që do të thotë se janë ndarë 229,000 euro për këta studentë.

Kam nënshkruar sot vendimin që t’i përkrah 229 studentë elitarë të cilët gjatë aplikimit në platformën e-Kosova, kanë pasur lëshime teknike në aplikim. Në thirrjen e shpallur vitin e kaluar për bursa elitare kanë qenë gjithsej 1647 studentë përfitues. Ndërsa, pas shqyrtimit të Komisionit të ankesave, është konstatuar se 229 studentë kanë pasur lëshime teknike gjatë aplikimit” – ka shkruar ministrja Nagavci, në profilin e saj në Facebook.

Konkursi për ndarjen e bursave për studentët e nivelit bachelor dhe master dhe studentët me aftësi të kufizuar në universitetet publike të Kosovës për vitin akademik 2023/2024 ishte hapur më 26.10.2023.

Kriteret për studentët e nivelit bachelor sipas këtij konkursi kanë qenë: Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të jenë të regjistruar në institucionet publike të arsimit të lartë (IAL) në Kosovë, ta kenë të përfunduar vitin e parë të nivelit bachelor, të mos kenë vit të përsëritur të studimeve, t’i kenë të përfunduara të gjitha provimet e vitit akademik paraprak, ta kenë të regjistruar semestrin vijues në programin studimor dhe të kenë notë mesatare të studimeve së paku 9.

KALLXO.com më 17.01.2024 raportoi për një studente të Fakultetit të Mjekësisë, F.Z., e cila dyshohej se nuk e kishte merituar bursën elitare të ndarë nga Ministria e Arsimit për vitin akademik 2023/2024.

F.Z. nuk i kishte përmbushur të gjitha kriteret për ta fituar bursën. Një nga kriteret ka qenë përfundimi i të gjitha provimeve të vitit akademik paraprak.

Sipas një përgjigjeje të komisionit të MASHTI-t, studentes i janë dashur edhe 35 kredi, nga 120 sa do duhej t’i kishte, pra F.Z. ka pasur provime të papërfunduara të vitit paraprak.

Pasi ky komision e ka verifikuar se studentja nuk e ka merituar bursën, asaj i është dhënë një afat kohor për dorëzimin e bursës.

Në një bisedë për KALLXO.com, studentja e ka pranuar se e ka kthyer bursën të martën, më 13.02.2024.

“Po qysh s’e kam kthy, normal që e kam kthy se Ministria m’kanë dërgu email, kur më kanë dërgu email direkt jam shku atje edhe kam fol me ta, edhe e kam kthy sot. Sa e dërgova tash vërtetimin bankar” – ka thënë ajo.

Gjithashtu, në një vendim plotësues të MASHTI-t më 07.12.2023 ishin korrigjuar dhe më pas larguar gjashtë studentë nga lista e fituesve të bursës të shpallur më 01.12.2023.