Fakulteti i Mjekësisë UP, Foto: Fakulteti i Mjekësisë/Facebook

Raportimi nga KALLXO.com - Studentja e Mjekësisë e kthen bursën që e mori pa meritë

KALLXO.com më 17.01.2024  raportoi për një studente të Fakultetit të Mjekësisë, F. Z., e cila dyshohej se nuk e kishte merituar bursën elitare të ndarë nga Ministria e Arsimit për vitin akademik 2023/2024.

F. Z. nuk i kishte përmbushur të gjitha kriteret për ta fituar bursën. Një nga kriteret ka qenë përfundimi i të gjitha provimeve të vitit akademik paraprak.

Sipas një përgjigje të Komisionit të MASHTI-t, studentes i janë dashur edhe 35 kredi, nga 120 sa do duhej t’i kishte, pra F. Z. ka pasur provime të papërfunduara të vitit paraprak.

Pasi ky Komision e ka verifikuar se studentja nuk e ka merituar bursën, asaj i është dhënë një afat kohor për dorëzimin e bursës.

Në një bisedë për KALLXO.com, studentja e ka pranuar se e ka kthyer bursën të martën, më 13.02.2023. Vlera e bursës elitare është 1000 euro.

“Po qysh s’e kam kthy, normal që e kam kthy se Ministria m’kanë dërgu email, kur më kanë dërgu email direkt jam shku atje edhe kam fol me ta, edhe e kam kthy sot. Sa e dërgova tash vërtetimin bankar”- ka thënë ajo.

Kur është pyetur se pse kishte aplikuar përderisa nuk i kishte plotësuar kriteret, ajo ka thënë se për shkak të notës mesatare ka aplikuar.

Bekim Samadraxha, kryesues i Komisionit për konkursin e bursave të MASHTI-t, e ka konfirmuar po ashtu se bursa është kthyer nga studentja.

“Ju informoj se mjetet janë kthyer nga studentja”- ka thënë Samadraxha për KALLXO.com.

Samadraxha nuk e kishte pranuar se ka pasur ndonjë ndërhyrje nga ndonjë person i tretë jashtë Komisionit të MASHTI-t, për të intervenuar në fitimin e bursës nga studentja F. Z.

Në anën tjetër, sekretari i Fakultetit të Mjekësisë, Visar Muqaj, i pyetur nga KALLXO.com se si i janë lëshuar dokumentet nga fakulteti studentes F. Z., përderisa ajo nuk i ka të përfunduara provimet e vitit paraprak, kishte theksuar se studentes, nuk i shkruan në dokumente – ‘Për bursë nga MASHT-i’.

“Në dokumentin origjinal të dorëzuar në MASHTI nga studentja, zyrtarët e shërbimit ritheksojnë se e njëjta e ka marrë transkriptën e notave dhe vërtetimin e studentes për nevoja personale dhe bursë (aplikim në institucione private apo kuvend komunal), por jo siç specifikohet për të gjithë kandidatët në vërtetim ‘Për bursë nga MASHTI’, që kanë aplikuar për bursë në MASHTI sepse e njëjta nuk i ka plotësuar kriteret për bursë nga MASHTI”- kishte deklaruar Muqaj.

Më 26.10.2023, Ministria e Arsimit hapi konkursin për ndarjen e bursave për studentët e nivelit bachelor dhe master dhe studentët me aftësi të kufizuar në Universitetet Publike të Kosovës për vitin akademik 2023/2024.

Kriteret për studentët e nivelit bachelor sipas këtij konkursi, kanë qenë: Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të jenë të regjistruar në Institucionet publike të Arsimit të Lartë (IAL) në Kosovë, ta kenë të përfunduar vitin e parë të nivelit bachelor, të mos kenë vit të përsëritur të studimeve, t’i kenë të përfunduara të gjitha provimet e vitit akademik paraprak, ta kenë të regjistruar semestrin vijues në programin studimor dhe të kenë notë mesatare të studimeve së paku 9.

Konkursi ka qenë i hapur nga data 26 tetor deri më 6 nëntor 2023.