Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MASHTI i dha bursë studentes që dyshohet se nuk i plotësoi kriteret

Studentja në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, F. Z., është njëra nga aplikueset që po dyshohet se nuk e ka merituar bursën elitare të ndarë nga Ministria e Arsimit për vitin akademik 2023/2024.

Megjithëse studentja figuron në listën e fituesve të bursës, sipas dokumenteve me të cilat ajo ka aplikuar në konkursin e MASHTI-t, ajo po dyshohet se nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret për ta fituar bursën.

Nga Komisioni i vlerësimit të kandidatëve për këtë konkurs i kanë thënë KALLXO.com-it se do ta verifikojnë aplikimin e studentes F. Z.

KALLXO.com ka biseduar me studenten F. Z., e cila e ka pranuar se ka aplikuar për bursë të MASHTI-t.

Ndërsa, sipas Fakultetit të Mjekësisë studentja i ka tërhequr dokumentet në Fakultet për nevoja personale dhe bursë, mirëpo nuk e ka specifikuar se i duhen “Për bursë nga MASHTI”.

Më 26 tetor, Ministria e Arsimit hapi konkursin për ndarjen e bursave për studentët e nivelit bachelor dhe master dhe studentët me aftësi të kufizuar në Universitetet Publike të Kosovës për vitin akademik 2023/2024.

Kriteret për studentët e nivelit bachelor sipas këtij konkursi, kanë qenë: Të jenë shtetas të Republlikës së Kosovës, të jenë të regjistruar në Institucionet publike të Arsimit të Lartë (IAL) në Kosovë, ta kenë të përfunduar vitin e parë të nivelit bachelor, të mos kenë vit të përsëritur të studimeve, t’i kenë të përfunduara të gjitha provimet e vitit akademik paraprak, ta kenë të regjistruar semestrin vijues në programin studimor dhe të kenë notë mesatare të studimeve së paku 9.

Për studentët të cilët i plotësojnë këto kushte, dokumentet e nevojshme për aplikim kanë qenë: Vërtetimi i statusit të studentit dhe pasqyra e notave me notë mesatare kredi (ECTS) të lëshuar nga fakulteti.

Konkursi ka qenë i hapur nga data 26 tetor deri më 6 nëntor 2023.

Sipas dokumenteve me të cilat ka aplikuar studentja F. Z. në këtë konkurs, ato janë të datës 2 nëntor 2023 dhe në vërtetimin studentor shkruan se vërtetimi i është lëshuar si dëshmi për ta rregulluar të drejtën e bursës.

Kurse, në pasqyrën e notave shihet se studentja i ka të përfunduar 18 provime, nga të cilat ka të numëruara 85 kredi.

E kontaktuar nga KALLXO.com, F. Z., nuk ka ndarë shumë informata në lidhje me aplikimin e saj në këtë konkurs, pasi ajo e ka mbyllur telefonin dhe nuk është përgjigjur më.

“Dokumentet i kena dërgu online, transkripta edhe vërtetimi” – ka treguar shkurt F. Z. dhe e ka mbyllur telefonin.

Bekim Samadraxha, kryesuesi i Komisionit për konkursin e bursave të MASHTI-t, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se studentja nuk e ka merituar bursën.

“F. Z. nuk e ka merituar bursën elitare sepse në certifikatën e notave, referenca X, të lëshuar nga Fakulteti i Mjekësisë në UP, Programi X, viti X, kandidatja ka të dhëna 18 provime dhe ka 85 kredi të fituara, kurse me legjislacion kërkohet 120, apo 60 kredi për një vit akademik” – ka theksuar Samadraxha. 

Sipas kësaj përgjigjeje, studentes i janë dashur edhe 35 kredi, nga 120 sa do duhej t’i kishte, pra F. Z. ka pasur provime të papërfunduara të vitit paraprak.

Samadraxha ka njoftuar se bursat janë ekzekutuar dhe vlera e bursës është 1000 euro.

Në rastin e studentes F. Z., Samadraxha ka thënë se do të verifikohet dosja e aplikimit të saj.

“Tash ne e verifikojmë, që i plotëson kriteret, ne e thirrim kandidaten, i themi – të lutem e nderume kështu, kështu është kjo, duhet të kthehen mjetet. Ne ja japim një afat” – ka bërë të ditur Samadraxha.

Ai nuk e ka pranuar se ka pasur ndonjë ndërhyrje nga ndonjë person i tretë jashtë Komisionit të MASHTI-t, për të intervenuar në fitimin e bursës nga studentja F. Z.

Në anën tjetër, sekretari i Fakultetit të Mjekësisë, Visar Muqaj, i pyetur nga KALLXO.com se si i janë lëshuar dokumentet nga fakulteti studentes F. Z., përderisa ajo nuk i ka të përfunduara provimet e vitit paraprak, ka theksuar se studentes, nuk i shkruan në dokumente – ‘Për bursë nga MASHT-i’.

“Në dokumentin origjinal të dorëzuar në MASHT nga studentja, zyrtarët e shërbimit ritheksojnë se e njëjta e ka marrë transkriptën e notave dhe vërtetimin e studentes për nevoja personale dhe bursë (aplikim në institucione private apo kuvend komunal) por jo siç specifikohet për të gjithë kandidatët në vërtetim ‘Për bursë nga MASHTI’, që kanë aplikuar për bursë në MASHTI sepse e njëjta nuk i ka plotësuar kriteret për bursë nga MASHTI” – ka deklaruar Muqaj.

Në të njëjtin konkurs, janë edhe 6 studentë të tjerë të cilët janë korrigjuar dhe më pas larguar nga lista e fituesve të bursës. Ky vendim është marrë gjashtë ditë pas vendimit për ndarjen e bursave, më 1 dhjetor 2023.