Zbuloi sekretin tregtar të djemve të Isa Mustafës, Gjykata merr vendim për shpedituesin

Isa Shiti është dënuar me një vit burgim me kusht, pasi gjykata e gjeti fajtor për zbulimin e sekretit tregtar të kompanisë së djemve të ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Bashkë me Shitin, shpeditues, në këtë rast akuzohej edhe Ramadan Latifaj, por ai u lirua nga akuzat e Prokurorisë.

Sipas Aktakuzës, me datë 16 mars 2016 Isa Shiti i ka komunikuar personave të tretë sekretin afarist të ndërmarrjes ‘’MAKCAR”. Si i punësuar në zyrën e shpedicionit në pikën kufitare Hani i Elezit i ka printuar dhe dorzuar përfaqsuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në mënyrë të paautorizuar Deklaratën Unike Doganore të importuesit ‘’MAKCAR’’ me seli në Prishtinë me pronar Besnik Mustafën, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës BMW, nga ndërmarrja ‘’Delta Motors’’ me seli në Beograd, e cila është publikuar në mjetet e informimit me qëllim shkaktimin e dëmtimit për ndërmarrjen dhe pronarin e saj.

Sipas aktakuzës së prokurorisë Ramadan Latifaj me datë 10 mars 2016 në Doganën rajonale në Ferizaj, si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrat zyrtare, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që tjetrit t’i shkaktojnë dëm, ka printuar Deklaratën Unike Doganore të importuesit ‘’MAKCAR L.L.C’’ me seli në Prishtinë me pronar Besnik Mustafën, lidhur me importimin e pjesëve origjinale të veturave të markës BMW nga ndërmarrja ‘’Delta Motors ‘’ me seli në Beograd të Serbisë, e cila është publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmtimit për ndërmarrjen dhe pronarët e saj.

Në aktgjykimin e sotëm gjykata të akuzuarin Isa Shiti e shpalli fajtor për veprën penale Komunikim i paautorizuar i sekretit tregtar, dhe të njëjtin e dënoi me burgim me 1 vit burgim me kusht.

Ndërsa Ramadan Latifajn gjykata e shpalli të pafajshëm pasi që nuk gjeti se ai ka kryer vepër penale.

Të dëmtuarit, djemtë e ish-kryeministrit Isa Mustafa, Besnik Mustafa dhe Arben Mustafa nuk kanë paraqitur kërkesë për kompensim të dëmit.

Për të akuzuarin tjetër Enliat Shala prokurori në seancën e kaluar është tërhequr nga aktakuza shkaku se nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor nuk është provuar se i njëjti ka konsumuar elementet e veprës penale Keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe komunikim i sekretit tregtar.

Ky rast është drejtuar nga kryetari i turpit gjykues Ibrahim Idrizi dhe anëtaret Mustafë Tahiri dhe Mirlinda Rexhepi.