Mungesa e Bordit të Trustit

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka mbetur pa Bord që nga 1 marsi.

Më 24 mars, në Komisionin për Buxhet Punë dhe Transfere kanë raportuar, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme, si pjesë e komisionit vlerësues për zgjedhjen e Bordit të Trustit.

Në mars të vitit të kaluar dy anëtarëve të Bordit iu kishte skuadër mandati andaj, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti u kishte dërguar email për nisje të procedurës së konkursit, ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme.

Por Mehmeti nuk mori përgjigje nga asnjëri deri në një email të dytë në tetor.

“Më 10 mars e kam pranuar një email nga Trusti që janë dy pozita vakante në Bordin e TRUST. Më 14 mars i kam dërguar email nga auditorja dhe nga ministri por që nuk kam marrë email. 24 tetor 2022 për dy anëtarë dhe anëtareve tjerë po më 28 tetor 2022 kam pranu pëlqimin nga auditorja për të vazhdu me procedurat, më 24 nëntor kam pranu përgjigje nga ministri”- u shpreh Mehmeti.

“Konkursi për anëtarë të Bordit ka përfundu më 23.12.2022. 5 janar 2023 përmes emailit kam kërku takimin e komisionit. Që nga 5 janari nuk kam pranuar asnjë email”- shtoi ai.

Ministri Murati tha se nga emaili ka pritur që të njoftohet për kriteret e konkursit dhe më pas të shpallej.

“Emaili kemi marrë a pajtohemi që të vijojmë me shpalljen e konkursit por unë kam prit prej kësaj që neve na njoftojnë për kriteret dhe tani të shpallet. Ne veç kur jemi njoftu për përfundimit të konkursit. Ne jemi njoftu nga përfaqësuesi i Ambasadës britanike që ky konkurs ka qenë njëri nga konkurset që do të duhej të monitorohej. Ne kemi disa alternativa që britanikët pajtohen që të marrin pjesë nga tani ose alternativa e dytë nëse ata kërkojnë që të kthehet në pikën zero dhe nga kjo ne kemi dy alternativa që ta anulojnë konkursin apo të mos pajtohemi dhe të vazhdojmë”-  tha Murati.

Murati gjatë raportimit të tij në Komision për Buxhet Punë dhe Transfere gjithashtu ka folur edhe për konkursin duke thënë që nuk e ka pranuar atë para se të shpallej.

“Pra ne jemi njoftuar kur është mbyll konkursi që këta janë kandidatët dhe në at moment unë kam dërgu shkresë, ku kanë qenë të përfshirë edhe anëtarë  të tjerë të komisionit, tek Fondi Pensional ku kam kërkuar sqarime se kur është shpallë, ku dhe cilat kanë qenë mediumet që janë shfrytëzu në mënyrë që të arrihej masivizimi dhe të ketë njoftimin e mjaftueshëm që të ketë edhe cilësinë e kandidatëve dhe sasia e tyre të jetë e duhura që të kemi mundësinë edhe të përzgjedhjes”- kishte thënë Murati në Komision.

Ai gjatë raportimit në Komision për Buxhet Punë dhe Transfere ka thënë gjithashtu që nga 47 kandidatë sa kanë aplikuar, 26 janë ndërkombëtar, kurse 21 tjerë janë vendor, nga të cilët 6 janë anëtarë aktual apo paraprak të Bordit.

“Janë vetëm 15 anëtarë të ri që s’kanë qenë më herët, ndoshta dikush ka qenë edhe në bordet e më hershme të cilët supozohet të garojnë për 6 pozitat e reja në Bordin Pensional të Kosovës. Për këtë arsye kam kërkuar sqarime shtesë dhe të njëjtat pyetje ka bërë edhe ekipi britanik. Dhe ka mbetur të dimë se si do të vazhdohet tutje, a mund të vazhdohet të konsiderohet procesi si valid dhe të zgjedhim anëtarët nga ajo listë që kemi apo të kthehet në pikën zero”- ka thënë më tej Murati.

Lëvizjet e shpejta në investimet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUSTI) gjatë muajit mars shkaktuan kritika nga opozita se në mungesë të Bordit, Fondi pensional nuk po arrin të tërheqë investimet nga tregjet financiare në rënie.

Drejtori i Trust-it, Adrian Zalli në emisionin #KallxoPernime, ka thënë se falimentimi i dy bankave në Amerikë ka bërë që të gjitha tregjet menjëherë të afektohen, posaçërisht lëmia e financave.

“Pra i afektoj të gjitha fondet pensionale, rrjedhimisht edhe neve, ku rezultoj me kthim negativ për vitin. Mirëpo prej asaj kohe deri më sot kanë filluar të rimëkëmbën gjërat. Prej minus 1.5% në mars, jemi kthy në 0.5%. Kriza ka ndodhur në mes të marsit ndërsa këtë javën e fundit kemi rikuperim.

Ai ka shtuar se me këtë rënie afektohen personat që janë larg pensionit.

“Prej moshës 18 vjeçare deri në 63 është portofolio standarde, këtu janë shumica e instrumenteve ndërsa këta që janë afër pensionit mosha 64-65, këta i qesim në këtë portofolion tjetër dhe si të tillë e kanë një kthim të garantuar deri në pension rreth 3.3%”- ka thënë më tej Zalli.

Arben Mustafa nga PDK-ja ka thënë se Inflacioni ndikon negativisht në aktivitetin ekonomik.

“Tregjet e aksioneve edhe një pjesë e madhe e Trust-it, reagojnë në masë shumë të madhe edhe ndaj zhvillimeve të përgjithshme ekonomike. Nëse e shohim se çka ka ndodh me rritjen ekonomike në vendet e zhvilluara, në gjithë Evropën kemi një ngadalësim të rritjes ekonomike si rezultat i inflacionit”- ka thënë Mustafa.

Shqetësuese për PDK-në është fakti që Trusti ende s’ka Bord

Mustafa, ekonomist nga PDK-ja, ka thënë se për këtë parti, mbetja e Trustit pa Bord është shumë shqetësuese.

“Kjo është papërgjegjësi e madhe që po mbretëron në qeverisjen e këtij vendi dhe sot kur kemi një tendencë të rënies së tregjeve të aksioneve, patëm një luhatje të madhe në sistemin financiar në SHBA për shkak të dështimit të atyre bankave, ndërsa ne sot kemi 2.5 miliardë të qytetarëve të Kosovës që ruhen nga Trusti e i cili nuk ka ‘zot shtëpie’’- ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se është ‘shqetësuese’ gjakftohtësia e ministrit Hekuran Murati rreth kësaj teme.

“Ai nuk e ka problemin që Trusti është pa Bord, nuk e ka problemin rreth mënyrës së organizimit të procedurave, por ai e ka problemin tek emrat e kandidatëve. Problemi kryesor që e shfaqi ministri gjatë raportimit në Komision për buxhet dhe financa, ishin emrat e kandidatëve që kanë apliku për Bord”- ka thënë më tej Mustafa.

Me anë të një përgjigjeje me shkrim, Auditorja e Përgjithshme ka thënë se ka qenë pjesë e komunikimeve të zhvilluara në tetor të vitit 2022 dhe ka dhënë pëlqimin e saj lidhur me fillimin e procesit për plotësimin e pozitave të lira në Bordin Drejtues të Fondit Pensional të Kosovës, mirëpo, më pas nuk ka pranuar nga ana e institucioneve gjegjëse shpalljen e konkursit për miratim të mëtutjeshëm.

“Në janar 2023 ka pranuar ftesën për takim. Më pas ka kuptuar se ky proces i përzgjedhjes është i përfshirë në programin për monitorim nga partneri britanik, i mbështetur nga Ambasada Britanike dhe pas një komunikimi me Partnerin britanik ka kuptuar se ata nuk janë vënë në dijeni lidhur me këtë, ka vlerësuar se Fondi Pensional dhe Banka Qendrore fillimisht duhet të ndërmarrin veprimet e duhura për zbatimin e kontratës në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Ambasadës britanike. Megjithatë pas kësaj nuk ka pranuar një ftesë nga Guvernatori për takimin e Komisionit përzgjedhës për procedim të mëtutjeshëm”- thuhet në përgjigjen e Auditores së Përgjithshme.

‘BQK-ja, fajtore pse Trusti s’ka Bord’

Armend Muja deputet nga Lëvizja Vetëvendosje si dhe kryetar i Komisionit për Buxhet Punë dhe Trasnfere, në emisionin #KallxoPernime, ka thënë se telashen kryesore e kanë pasur me opozitën, e cila kërkonte tërheqjen e parave nga TRUST-i.

“Bekim Haxhiu që është fizioterapeut thojke që po fitoni shumë e hajde t`i tërheqim. Fondet pensionale mbeten fonde pensionale për pleqëri, asnjëherë nuk e kam nënvlerësu nevojën e qytetarëve, por për atë arsye është Qeveria, për atë arsye është politika fiskale, asnjëherë nuk kam thënë që nuk ka nevojë, por kam thënë që ne përderisa ta mbiqkyrim dhe të kemi një Trust pensional pasi më herët këto i ka vjedh Serbia”- ka thënë më tej Muja.

Ai ka fajësuar BQK-në, për mungesë të Bordit të Trustit, e cila është edhe mbikqyrëse kryesore e Trustit.

Muja tha se Trusti Pensional kishte shkuar për raportim në tetor të vitit të kaluar në komisionin.

“Në bazë të ligjit, BQK është mbikëqyrësja e Trustit dhe është mirë që politika nuk ka dorë në të, dhe thotë që kurdoherë që Trusti mbetet pa Bord është një komision permanent për përzgjedhje, i përbërë nga Guvernatori i BQK-së, si kryesues, ministri i financave si anëtar dhe Auditorja e Përgjithshme si anëtare”- ka thënë Muja.

Ai ka shtuar se javës së kaluar e ka thirre këtë komision permanent.

“Ma jepni një përgjigje, erdh edhe guvernatori sepse s’ka qenë gjithmonë e lehtë që ai të vjen në Komision dhe unë pyeta ku janë propozimet që këta është dashur ta bëjnë më 1 shtator të vitit të kaluar. Guvernatori thotë që i kam shkru një email, Auditorja ka thënë që se kam marr at email. Kjo është neglizhencë e BQK-së për zgjedhjen e bordit të Trustit”- ka shtuar ai.

Arben Mustafa nga PDK-ja ka folur edhe për tërheqjen e 30% të mjeteve të Trustit.

“Ka qenë një kërkesë që është bazu në praktikë të më hershme të 2020 për me i tërheq një pjesë të kursimeve, megjithatë nëse e shohim koncept dokumentin për Fondin Sovran, aty është një rrezik i madh për Trustin”- ka thënë Mustafa.

Ai më tej ka akuzuar zyrtarët institucional se po tentojnë që ta ‘kapin’ edhe Trustin.

“Deputeti po na flet se qysh me e mbajt Trustin larg poltikës, por komenti i ministrit se është i pakënaqur me emrat, flet përkundrazi me një qëllim me kap edhe Trustin qysh i keni kap krejt institucionet e tjera.

Ruzhdi Morina, ish kryetar i Bordit të Trustit ka thënë se Bordi është shumë i rëndësishëm për Trustin.

“Strategjia e investimeve është afatgjatë, është e dizajnume për të prodhuar efekte pozitive, e kam problem me terminologjinë që i referoheni si humbje, nuk është humbje është rënie e vlerës e ajo rikuperohet. Fatmirësisht situata u menaxhu mirë në konceptim global”- ka thënë Morina.

Morina ka shpjeguar po ashtu se si mund t’ia dalë drejtori i Trustit i vetëm pa Bordin.

“Ligji i ka paraprarë dhe ndarë përgjegjsitë e Bordit dhe të menagjmentit. Vendimmarrja është e bazume në ekspertizën që e marrin nga menaxhmenti, këta janë një suport i madh ndaj bordit në vendimmarrje. Por vendimmarrja është e koncentruar tek Bordi dhe është e vërtet ajo që nuk mund të merret vendim për investimet”- ka thënë Morina.

Morina ka shtuar se nga marsi i vitit të kaluar institucionet përgjegjse janë njoftuar që Bordit i ka skaduar afati.

“Ne i kryejm të gjitha detyrat qysh janë të përcaktuara me ligj gjithashtu jemi nisur prej atij aspektit që secili institucion do ti kryej detyrat e veta qysh e ka përcaktu ligji. Kemi 4-5 njoftime me shkrim, që i kemi dërguar Guvernatorit, BQK-së, udheheqësve të komisionit përzgjedhës por edhe anëtarëve të tij”- ka thënë Morina.

Ai ka kritikuar këto institucione që nuk e kanë përsëritur konkursin për anëtarë të Bordit të Trustit.

“Pse të mos përsëritet, 15 ditë është afati, mund të procedohet shpejt dhe mund të mos lihet institucioni pa Bord”- ka thënë Morina.

Profesori Florin Aliu në emisionin #KallxoPernime, ka thënë se për shkak që Trusti është rritur, një lëvizje më e vogla shkakton humbje të mëdha.

“Kur e kqyrë periudhën e Covidit rënja ka qenë shumë më e thellë, mirëpo për shkak se madhësia e Trustit është rritur, lëvizjet më të vogla shkaktojnë humbje më të mëdha ose humbje të parealizuara”- ka thënë Aliu.

Ai ka shtuar se mjetet e Trustit janë gjithë të ekspozuara ndaj ndryshimeve, por sipas tij për momentin nuk ka ndonjë rrezik.

“Nuk ka ndonjë rrezik sikur kriza e vitit 2008, për shkak të ndërlidhshmërisë së tregut financiar që mund të kemi shok në të gjitha bursat, mirëpo qysh duhet të performojnë këto tregje, do të varet shumë se çka do të bëj Banka Qendrore Amerikane”- ka thënë më tej Aliu.

Armend Muja deputet i VV-së si dhe kryetar i Komisionit për Buxhet Punë dhe Transfere ka thënë se në kohën kur Trusti kishte mbetur pa Bord 9 muaj pati ndodh një plotësim ndryshim i ligjit, ku është vazhduar me automatizëm mandati i Bordit për tre muaj.

“Marr parasysh çka po ndodh një gjë që unë po e shqyrtoj dhe që e kam diskutuar me palët e interesit është që kam kërkuar të filtrojmë secilin anëtarë por në anënn tjëtër Trustin mos ta lëmë pa Bord. Në Agjencitë e tjera vazhdon mandati derisa të zëvendësohen”- ka thënë Muja.

Muja ka shtuar se bashkë me profesionistë të Trustit do të dakordohen që të intervenojnë në kornizën ligjore në mënyrë që të ketë sa më shumë siguri për këtë institucion.

‘Gjatë procesit për zgjedhjen e Guvernatorit ka pasur ca shkelje’

Në emisionin #KallxoPernime, është diskutuar për Trustin i cili ka mbetur pa Bord tash e sa kohë si dhe “ngecja” e procesit të zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore.

Që nga 29 marsi postin e guvernatorit të BQK-së e ka marrë përkohësisht, Bashkim Nurboja (kryetar i Bordit të BQK-së) pasi ish-guvernatorit, Fehmi Mehmeti i ka kaluar mandati. Institucionet nuk kanë arritur ta përfundojnë këtë proces i cili ka nisur që nga nëntori.

Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje konsideron që gjatë procesit të zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore ka pasur shkelje. Muja tha se nuk është bindur që është filtruar integriteti i kandidatëve për postin e Guvernatorit të BQK-së.

“…unë konsideroj që ka pas ca shkelje në procedurë të cilat kandidatët e suksesshëm i bënë “vulnerabil” ndaj gjykimeve apo rasteve gjyqësore. Dhe tjera çfarë nuk ka ndodhur në atë proces apo nuk jam i bindur që integriteti i secilit kandidat është filtru. Në çdo rast qëllimi jonë është që të ketë një guvernator të jetë profil i pranueshëm, profesional dhe i pavarur”- tha ai në #KallxoPernime.

Muja i cili është edhe kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Trasfere tha se është e rëndësishme që të ketë një Guvernator i cili reflekton konferencë profesionale dhe që është politikisht i pavarur. Ai përmendi edhe poentimin e kandidatëve, listën nga monitoruesit britanik gjatë procesit të zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore.

“(Lista) nuk ka qenë e aprovume nga britanikët kjo është çështja te Guvernatori… unë besoj që ne duhet ta kemi kohën e nevojshme për ta filtru dikënd që me konfidencë dal e thom qiky është i mirë për sektorin bankar”.

Banka Qendrore ka qenë një institucion i mirë një kohë por viteve të fundit është politizu tej mase. Kjo listë është që një muaj ditë është t`u diskutu, po diskutohet. Komisioni për Buxhet e ka të drejtën që ia ka dhënë ligji dhe rregullorja e Kuvendit që me e pa a e ka plotësu qiky konkurs kushtet formale-juridike”- deklaroi ai.

Për 5 muaj institucionet nuk arritën ta zgjedhin Guvernatorin e BQK-së

Mustafa akuzon Mujën se po i ikë përgjegjësisë së tij si deputet

Arben Mustafa, ekonomist nga PDK-ja, ka akuzuar Armend Mujën e Vetëvendosjes që sipas tij po i ikë përgjegjësisë së tij si deputet dhe si kryetar i Komisionit për buxhet financa e transfere.

Sipas Mustafës, deputeti Muja po flet për diçka që s’mund të ketë kurrfarë ndikimi, ndërsa më së paku për atë që është i thirrur.

“Muja po flet më shumë për nga perspektiva e menaxhmentit të Trustit, po flet qysh ka lëviz çmimi i njësisë së aksioneve, pra aspekte që nuk ka fare as ndikim as përgjegjësi edhe po i ikë diskutimit për pjesën ku ka përgjegjësi”- ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, Muja ka mundur të ndikoj që Trusti sot të ketë Bord.

“Ti zoti Muja nuk mund të ndikosh në rritje të çmimeve, përgjegjësia jote ku ti ke mujt me ndiku është që Trusti sot me pas Bord, e pikërisht për këtë temë po na flet mas paku dhe po ashtu po relativizon shumë rolin e juve si parti në pushtet ku i keni krejt institucionet. Me këtë logjikë qysh ka dështu zgjedhja e Bordit të Trustit po dështon edhe zgjedhja e Guvernatorit për shkak se ju skeni probleme me procese por me emra”- ka thënë Mustafa.

Ndërsa Armend Muja nga LVV, ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja, janë shumë të interesuar se çfarë po ndodh me BQK-në.

“Nuk e kam ditë pse sepse këta në baza ditore diskutojnë këtë punë e unë se kam kuptu derisa i kam parë listat e personave që mbikëqyrni bankat”- ka thënë tutje Muja.

Ndërsa Mustafa i ka thënë atij që të filloj të marr përgjegjësi sepse nuk është opozitë.

“Filloni të merrni përgjegjësitë që ju takojnë pasi që tash jeni në pushtet”- ka thënë Mustafa.

Ardian Zalli, drejtor i Trustit ka thënë se përgjegjësitë të cilat ia jep Kuvendi Bordit, nuk mund të transferohen tek palët e treta.

“Ky është edhe opinion ligjor, të cilin ne e kemi, dmth Bordi nuk ka mundur me i lënë këto përgjegjsi tek unë edhe pse ne e kemi shqyrtuar këtë mundësi. Se kjo është përgjegjsi fiduciare të cilën ia jep Bordit, Kuvendi. Edhe për çdo vendim që Bordi e merr duhet me pas kuorum prej 5 vetave. Kështuqë s’ka kuptim një përgjegjsi që është tek 5 persona të bartet vetëm tek një person”- ka thënë Zalli.

Ai ka shtuar se mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit është zgjatur për tre muaj.

“U zgjatë por pas tre muajve është ndërpre çdo gjë sepse është mendu që kjo do të zgjidhet e për t`u zgjatur edhe për 3 muaj të tjerë duhet të ndërrohet ligji, herën e kaluar janë ndërruar vetëm disa çështje ligjore e njëra prej tyre ka qenë edhe kjo”- ka thënë Zalli.

Zalli ka shpjeguar se Bordi i kaluar ka marr 72 vendime.

“Ka marr vendime për me ble e shit gjëra, po flas për vitin 2022. Si pasojë e kësaj ne kemi pasur kthim prej minus 5.2%, kurse fondet e tjera pensionale në mesatare kanë pasur kthim negativ dy shifrorë, do të thotë rëndësia e Bordit nuk ka për çka mu bisedu këtu”- ka thënë më tej ai.

Para se të shkoj, Bordi kishte marr vendime se si të lihen gjërat.

“Sepse u pa tash qartazi që s’do të ketë bord, si i tillë Bordi e ka lënë një strategji shumë konservative për momentin dhe kjo ka bërë që ramja të jetë sa më e amortizuar e muajit mars sesa të mos i kishte marr këto vendime”- ka shtuar ai.