Pas insistimit të KALLXO.com, iniciohet sërish procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit Riza Livoreka

Pak javë pasi u kthye në punë, gjyqtari nga Kaçaniku, Riza Livoreka pritet të përballët sërish me procedurë disiplinore.

Kjo pasi kryetari i Gjykatës së Ferizajt, Musafë Tahiri e ka aprovuar kërkesën e Zyrës Ligjore të KALLXO.com për inicimin e procedurës disiplinore për pikat të cilat kishin mbetur pa u trajtuar në procedurën e cila ishte zhvilluar një muaj më parë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Livoreka në fillim të këtij viti ishte suspenduar nga puna pasi emisioni “KALLXO Përnime“ kishte shfaqur video-incizimet në të cilat dëgjohej tek “paralajmëronte” njërën palë se do ta humbte pronën në rast se nuk do të lidhte marrëveshje.

Pamjet në të cilat gjyqtari dëgjohej duke biseduar për fatin e lëndës e më pas mënyra se si familja Malsiu e kishte humbur pronën përmes vendimit të gjyqtarit, i cili bazohej në një Ligj të shfuqizuar, e kishin tronditur opinionin në janar të këtij viti.

Për këto veprime në fillim të muajit shkurt, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e kishte ndëshkuar gjyqtarin Livoreka me ulje page për 10 muaj, mirëpo KALLXO.com kishte zbuluar se KGjK nuk i kishte trajtuar fare përmbajtën e deklaratave të gjykatësit nga Kaçaniku dhe vendimin të cilin e kishte nxjerrë pas tyre.

Riza Livoreka ishte gjetur përgjegjës për takim ex-parte (pa praninë e palës tjetër) dhe veprim të pahijshëm, ndonëse KALLXO.com kishte kërkuar që i njëjti të hetohej për 6 shkelje disiplinore.

Pas analizimit të vendimit të KGJK-së, Zyra Ligjore e KALLXO.com e ka përsëritur kërkesën disiplinore dhe ka kërkuar hetim profesional ndaj gjyqtarit, dhe atë për:

  • Mos respektimin e parimit të pavarësisë dhe paanshmërisë gjyqësore;
  • Mos trajtimin e barabartë të palëve në procedurë;
  • Bërjen me dije të vendimeve gjyqësore para nxjerrjes së aktgjykimit;
  • Dhe mos raportim të rasteve të përjashtimit të mundshëm për shkak se vajza e gjyqtarit ishte praktikante tek avokatja e palës paditëse.

Kërkesa u aprovua më datë 24 maj 2022 nga autoriteti kompetent dhe është dorëzuar në Këshillin Gjyqësor për trajtim të mëtejmë.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht kryetari i gjykatës, pas pranimit të kërkesës suaj të datës 05.05.2022, për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Riza Livoreka për trajtimin e pikave të shkeljeve disiplinore siç edhe keni theksuar në këtë kërkesë, pas analizimit të kërkesës suaj, konform nenit 8 par.3 të Rregullores 05/2109 për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve ju njoftoj se me datë 24.05.2022 i kam dorëzuar përsëri Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kërkesën për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Riza Livoreka”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Kompetent.

Historia e rastit të gjykatësit Riza Livoreka

Një kontest pronësor i viteve të fundit u gjykua me një Ligj të shfuqizuar nga gjykatësi Riza Livoreka.

Video filmimet të cilat i kishte siguruar KALLXO.com ngritën dyshime të mëdha në këtë proces.

Kjo pasi gjykatësi Livoreka ishte filmuar duke mbajtur takim me palën e paditur dhe duke i kërkuar të lidhte marrëveshje, në të kundërtën do t’ia merrte pronën.

“O unë me ty jam tu fol veç që e njoh Rakipin, moti se s’kisha fol hiç, unë ta bij vendimin, s’e ke respektu të drejtën për parablerje, pesë pare s’i jap”, dëgjohet gjykatësi Livoreka duke i thënë palës.

Ashtu edhe siç edhe kishte paralajmëruar, pasi nuk u arritur marrëveshja, gjyqtari Livoreka me datë 31 dhjetor 2021, e kishte nxjerrë vendimin me të cilin ia kishte marrë pronën familjes Malsiu dhe të njëjtët ia kishte dhënë familjes Tusha.

Vendimi ishte marrë duku u bazuar në një ligj i cili që nga viti 2009 nuk zbatohet në Republikën e Kosovës.

Sipas Hasan Shalës, gjyqtar i Gjykatës së Apelit, kontestet që kanë lindur pas vitit 2009 nuk mund të gjykohen me ligjin e vjetër por me Ligjin për pronësinë dhe të drejtat sendore i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2009.

Përpos tjerash në pamjet e shfaqura në emisionin “Kallxo Pernime”, gjyqtari Livoreka dëgjohet duke u thënë palëve që të mos e ndjekin procedure gjyqësore pasi e njëjta zgjatë 10 vite.

“Po unë po të kallëzoj personalisht i thash hekne lëndën mos shkoni nëpër gjykata, se minimum po të them, minimumi nja 10 vjet keni me shku nëpër gjykata, se qashtu është duke shku procedura, sidomos qetash ma është përzi sistemi, është bo llugë, s’e di se çka është tuj ndodhë ma edhe qekjo pandemia që na ka shty…”, thotë gjyqtari Livoreka

Gjyqtari Riza Livoreka nuk ka pranuar të flasë para kamerës së emisionit “Kallxo Përnime”.

Hulumtimin e këtij rasti mund ta ndicni duke klikuar në këtë link.