Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

PDK inicion në Kuvend ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka iniciuar në Kuvendin e Kosovës ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Kështu njoftoi në një konferencë për media koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa.

Mustafa tha se kjo nismë është ndërmarrë pas dyfishimit të faturave të tatimit në pronë për vitin 2023 për pjesën më të madhe të qytetarëve të Kosovës.

“Pra, në kushtet kur norma e rritjes së çmimeve arriti nivele të papara në historinë e re të Kosovës, ndërsa të ardhurat e qytetarëve mbetën përgjithësisht të pandryshuara dhe shumë familje rrezikojnë të lëvizin drejt pragut të varfërisë, është absolutisht e papranueshme që qytetarët të rëndohen edhe më shumë nga rritja e tatimit në pronë” – deklaroi ai.

Sipas Mustafës, në projektligjin e iniciuar është propozuar pezullimi për një vit i vlerësimit të pronave që është bërë në vitin 2022 nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në mënyrë që tatimi në pronë të mos rritet në këto kushte të rënduara ekonomike.

“Përmes kësaj nisme ligjore, kemi propozuar që të obligohet Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që të propozoj amandamentimet e nevojshme ligjore me të cilat ndryshohet pragu i poshtëm prej 0.15% i përcaktuar në nenin 9 të ligjit bazë, në mënyrë që t’ju mundësohet më tepër fleksibilitet komunave që të bëjnë përshtatjen e normave të tatimit në pronë sipas rrethanave ekonomike. Prandaj, ftojmë deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i japin mbështetje këtij projektligji”- shtoi ai.

Më tej Mustafa ka thënë se si PDK janë të pakënaqur me dinamikat e punës së Kuvendit, pasi sipas tij kanë kaluar rreth 3 javë pa seanca.

“Si PDK jemi të pakënaqur me dinamikën e Kuvendit, kanë kaluar 3 javë gati pa seanca. Kërkojmë prioritet më të lartë të kësaj çështje sepse qytetarët kanë filluar të paguajnë këto fatura”- ka thënë mes tjerash ai.

Kjo iniciativë vjen pas reagimeve të shumta të qytetarëve pas rivlerësimit të pronave që është kryer nga Ministria e Financave.

Ministria ka vlerësuar pronat në bazë të dhënave të tregut gjë që ka shkaktuar rritje të vlerës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se projektligji parasheh që tatimpaguesit të mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumë 100 euro, apo sa lartësia e faturës.