I padituri Gafurr Abdullahu, seanca 17.11.2023, Foto: Jetlira Buzhala/KALLXO.com

Deputeti i LVV-së kërkon 10 mijë euro dëmshpërblim nga i padituri për shpifje dhe fyerje

Në Gjykatën e Ferizajt sot është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Gafur Abdullahut, të cilin deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, e ka paditur për shpifje dhe fyerje.

Basha pretendon se Abdullahu në profilin e tij nërrjetin social “Facebook” ka bërë shkrime, ku ka thënë se Bashën e ka pasur në klasë në shkollë fillore dhe i njëjti nuk i ka ditur të gjitha shkronjat e alfabetit shqip.

“Kohë të gjatë ka mendu se alfabeti shqip I ka 27 shkronja”, “Kemi qenë në klasë në shkollë fillore dhe po t’i dërgoj fotot”, “Po t’i  dërgoj fotot me shallin e pionerit të shokut Tito’s që ti dhe familja jote e keni simpatizuar”.

Këto fjalë, sipas dosjes, ishin thënë më 11 dhe 12 shtator të vitit të kaluar.

Për këto fjalë, Dimal Basha po kërkon 10 mijë euro dëmshpërblim, me pretendimin për denigrim,  dëm psikologjik e material.

Dimal Basha nuk u paraqit në gjykatë. Ai u përfaqësua nga avokati Samir Rekaj.

Në seancën e sotme u propozuan dëshmitarë për këtë rast e u kërkuan të nxirren dosje nga shkolla ku Dimal Basha e kishte kryer shkollën fillore.

Këta dëshmitarë të propozuar nga Samir Rekaj,  përfaqësues i Bashës, avokati i Abdullahut, Jeton Berisha, e kundërshtoi këtë propozim me pretendimin se këta dëshmitarë janë shokë të Dimal Bashës.

Përveç këtyre dëshmitarëve do të bëhet edhe ekspertizë financiare, për ta vlerësuar lartësinë e dëmit që avokati Rekaj po pretendon se i është shkaktuar Bashës.

Këtë propozim për ekspertizë, avokati Berisha e konsideroi të pabazuar, por pretendimi i paditësit është se meqë lajmet ishin përhapur  nga shumë portale, është shkaktuar dëm material e psikologjik.

Sipas përgjigjes në padi, të ushtruar nga Jeton Berisha, i cili përfaqëson të paditurin Abdullahu, që të ekzistojë shpifja duhet që në mënyrë kumulative fakti ose deklarata të jetë e pavërtetë; që publikuesi ta dijë ose duhet ta dijë që është e pavërtetë, dhe fakti ose deklarata të ndikojë në reputacionin e personit tjetër.

Sipas kësaj përgjigjeje, avokati Berisha thotë se klienti i tij vetëm e ka thënë një mendim të tij subjektiv dhe jo një fakt, kur ka thënë se Basha nuk e ka ditur sa shkronja i ka alfabeti shqip.

Një gjë e tillë, sipas avokatit, nuk mund të vërtetohet meqë ka ndodhur 35 vite më parë, kur Basha e Abdullahu kishin qenë në klasë  të parë dhe mosha e tyre ka qenë rreth 6-7-vjeçare.

Të gjitha këto pretendime që paditësi i ka konsideruar shpifje, avokati Berisha në përgjigjen e tij ndaj padisë thotë se nuk ka ndikuar në reputacionin e deputetit Basha.

Në seancë ai u shpreh se opinionet e klientit të tij janë ndikuar nga fakti se në kohën e thënë të tyre ka qenë greva e mësimdhënësve, ku më shumë se 1 muaj shkollat kishin qenë të mbyllura, e sipas tij Dimal Basha kishte ofenduar mësimdhënësit.

Për këtë avokati Berisha tha se i kanë bashkangjitur edhe linqet e këtyre reagimeve të Bashës kundër mësimdhënësve.

Gjyqtarja e rastit, Mirlinda Bytyqi -Rexhepi, i miratoi të gjitha propozimet e palëve për të vërtetuar nëse Dimal Basha e Gafurr Abdullahu kishin qenë në të njëjtën shkollë dhe nxënës të së njëjtës mësuese.

Ky rast do të vazhdojë më 12 dhjetor.