Vrasja me thikë në Prizren, ndërpritet seanca për shkak se salla nuk kishte pajisje për video-audio incizim

Gjykata e Prizrenit ka bërë administrimin e provave në rastin ku Orhan dhe Albert Ademaj po gjykohen për vrasje me thikë në Prizren.

Dy vëllezërit, Ademaj nga Prokuroria po akuzohen se më 1 maj 2020, pas mosmarrëveshjeve, me dashje dhe të shtyrë nga motivi i hakmarrjes me thikë kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Mendim Kurtishaj.

Të mërkurën, është bërë shikimi i dy fotoalbumeve, është lexuar raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, lista e dëshmitarëve nga njësia e forenzikës dhe disa formularë të tjerë.

Lidhur me këto prova, Blerim Mazreku, mbrojtës i të akuzuarit Orhan Ademaj ka paraqitur vërejtje.

Ndërkaq, prokurori i shtetit ka propozuar që të bëhet shikimi i dy CD-ve lidhur me rastin.

Pas propozimit të kësaj prove, dy të akuzuarit, Orhan dhe Albert Ademaj kanë refuzuar që të merren në pyetje (të mbrohen).

“Këshilloj publikisht të mbrojturin tim që në këtë fazë kur pritet të administrohet edhe një provë përkatësisht shikimi i video-incizimeve, të mbrohet në heshtje ngase është e drejta e tij që të ketë qasje në të gjitha provat e pastaj të deklarohet lidhur me këto fakte” – deklaroi avokati Blerim Mazreku.

Të njëjtin qëndrim patën edhe avokati Klodian Krasniqi me të mbrojturin e tij, Albert Ademaj.

Pasi që salla ku mbahej seanca nuk ishte e pajisur me video-audio incizim, shqyrtimi i sotëm u ndërpre.

Seanca e radhës u caktua më 31 tetor 2023.

Sipas Prokurorisë, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020, në Prizren, në rrugën “Ismail Kryeziu”, tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje, nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta Mendrim Kurtishaj.

Në akuzë thuhet se dy të akuzuarit me veturën e tyre, të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj, e ndjekin të ndjerin M. K., i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M.H.

Tutje sqarohet se kur arrijnë te “Tranziti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë, Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet M. K., dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Pas kësaj me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se viktima në Emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.