I akuzuari për vrasjen e gruas, Bajram Velija - FOTO - KALLXO - 01.10.2021

Vrasja e gruas me 14 plumba, Apeli ndryshon burgimin e përjetshëm në 25 vite ndaj Bajram Velijës

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarit Bajram Velija duke e zbutur në 25 vite burgim.

Bajram Velija ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Prizrenit pasi u gjet fajtor se në gusht të vitit 2019, disa metra larg shtëpisë së tyre me 14 plumba ka privuar nga jeta tashmë të ndjerën, gruan e tij A. A.-V.

Ndaj këtij vendimi, Orhan Rekathati, mbrojtës i të akuzuarit ka parashtruar ankesë në gjykatën e Apelit mes tjerash duke kërkuar që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i butë.

Apeli ka gjetur se ankesa e mbrojtësit është pjesërisht e bazuar vetëm sa i përket shqiptimit të dënimit, ndërkaq, për pikat e tjera ankesa nuk është e bazuar.

Në aktgjykimin që KALLXO.com ka siguruar, Apeli ka konstatuar se dënimi me burgim të përjetshëm i shqiptuar nga shkalla e parë është shumë i ashpër dhe nuk është në përputhje me rrethanat rënduese.

“Kjo gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit me burgim të përjetshëm është i ashpër dhe nuk është në përputhje me rrethanat rënduese të konstatuara dhe të vlerësuara nga shkalla e parë”-thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas shkallës së dytë, me rastin e shqiptimit të dënimit nuk janë përmbushur kushtet ligjore të parapara në ligj.

“Gjykata gjen si të bazuara pretendimet ankimore të mbrojtësit se ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë se sa dënimi me burgim të përjetshëm për arsye se për veprën penale duhet të parashihet dënimi me burgim të përjetshëm por decidivisht duhet të plotësohen edhe kushtet e parapara nga neni 41 i KPRK-së”-citohet në vendim.

Në vijim kjo gjykatë ka cekur se tek rrethanat rënduese gjykata e shkallës së parë i ka konsideruar rënduese rrethanat lehtësuese.

“Disa nga rrethanat rënduese të konstatuara, në fakt janë rrethana lehtësuese e jo rënduese, sidomos sjellja e të akuzuarit ku pas kryerjes së veprës penale i njëjti merr një shami nga viktima dhe e mbulon kufomën, rrethanë kjo e cila nuk mund të konsiderohet rënduese”, thuhet në aktgjykim.

Apeli më tej ka theksuar se mënyra tinëzare-dinake e kryerjes së veprës penale gabimisht ishte marrë si rrethanë rënduese. Kjo, pasi sipas gjykatës së Apelit vrasja nuk ka rezultuar se ishte kryer në mënyrë dinake.

“Fakti se i akuzuari ka pritur ardhjen e policisë, ndërkohë ka informuar familjarët e tij, por edhe të të ndjerës, nuk mund të konsiderohet si rrethanë rënduese. Deklarimi i mbrojtjes se i është paraqitur “një katror i zi”dhe nuk e din si ka vepruar, duke dashur ta eliminojë dashjen si element i veprës penale, nuk guxon të merret si rrethanë rënduese”, sqarohet në vendim.

Sipas Apelit shkalla e parë po ashtu nuk i ka vlerësuar rrethanat lehtësuese se është baba i tre fëmijëve, i moshës relativisht të vjetër, se është penduar, ka kërkuar falje nga vajzat e të ndjerës por edhe njëkohësisht ka kërkuar falje publike në gjykatë. Rrethana tjera që nuk u morën parasysh janë edhe se Velija nuk ka qenë i dënuar më parë për vepër penale.

Duke pasur parasysh këto rrethana Apeli vendosi që me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarit t’i shqiptojë për vrasje të rëndë dënimin prej 25 vitesh burgim ndërkaq, për armëmbajtje pa leje dënimin prej 2 vitesh burgim, kurse dënimi unik iu shqiptua prej 25 vitesh duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas aktakuzës të datës 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A. A.-V.

Sipas prokurorisë, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Pas kryerjes së këtij veprimi, i akuzuari bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

Bajram Velija akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë e cila dënohet me dënim jo më pak se 10 vite burgim apo me burgim të përjetshëm.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, Velija mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve për të cilën është paraparë dënimi me gjobë deri në 7,500 Euro ose dënimi me burgim deri në 5 vite.

Shkrimet e Kallxo.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK