
Foto: KALLXO.com
Vrasja e dy vëllezërve, dëshmitari: I pash të akuzuarit duke e vrarë Burimin
Në gjykimin për vrasjen e dy vëllezërve në Shaptej të Deçanit, për çka po gjykohen babë e bir, Sali e Durim Lushaj, dëshmitari Ramë Ramaj ka rrëfyer se çfarë ka parë në momentet tragjike të 25 gushtit 2016.
Ai tha se Durim e Sali Lushaj e kishin vrarë Burim Ramajn, duke folur për njërin prej dy vëllezërve të vrarë.
“Durimi e Salihu janë kanë tuj e vra Burimin. Tjetërkënd s’e kam pa”, deklaroi dëshmitari.
Por, mbrojtësi i të akuzuarit Durim Lushaj, avokati Sali Mekaj, tha se një fakt të tillë dëshmitari nuk e kishte thënë në shqyrtimet e mëhershme.
“Rexhepi ka qenë i shtrire përtokë, i ramë përmbys dhe të akuzuarit kanë qenë afër, kapur me Burimin”, e ballafaqoi avokati Mekaj dëshmitarin me deklaratën e tij.
“Çka nënkupton me fjalën kapur?”, pyeti avokati.
“Unë kapur nuk kam thënë, s’di pse është konstatuar ashtu”, u përgjigj dëshmitari.
Reagime pati edhe vetë i akuzuari Durim Lushaj. Sipas tij dëshmitari Ramë Ramaj as nuk kishte qenë në vendngjarje.
Mbrojtësja e të akuzuarit Salih Lushaj, avokatja Kosovare Kelmendi pati vërejtje lidhur me dëshminë e dëshmitarit Ramë Ramaj, sidomos të pjesa kur dëshmitari thotë se “të akuzuarit e kanë shtënë me armë në shpinë të të ndjerit Burim”, e që sipas avokates ky i fundit nuk kishte asnjë plagë në shpinë.
Në fillim, mbrojtësit e të akuzuarve e kundërshtuan dëgjimin e dëshmitarit, me arsyetimin se Ramaj në gjykimin e kaluar kishte qëndruar në sallë të gjykimit derisa janë dëgjuar dëshmitarët e tjerë.
Por, kryetarja e trupi gjykues Violeta Husaj Rugova, e konsideroi të pabazuar propozimin e mbrojtësve, me arsyetimin se pas ndërrimit të trupit gjykues, dëshmitari Ramë Ramaj nuk është dëgjuar asnjëherë si dëshmitar.
“Gjersa se a është dëshmitari kredibil apo jo, i takon gjykatës ta vërtetojë”, shtoi gjykatësja Husaj Rugova.
Seanca e radhës mbahet me 26 dhjetor 2019.
Sipas prokurorisë, Sali e Durim Lushaj, që janë babë e bir, akuzohen për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.
I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramaj bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt me armë zjarri.