Foto-ilustrim

Përplasje mes avokatit e gjyqtares në gjykimin për vrasjen e dy vëllezërve në Shaptej të Deçanit

Me tensione është përshkuar seanca e sotme e gjykimit për vrasjen e dy vëllezërve Ramaj në Shaptej të Deçanit, për çka po gjykohen babë e bir, Sali e Durim Lushaj.

Mospajtime pati mes mbrojtësit të të akuzuarit Durim Lushaj, avokatit Sali Mekaj dhe kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Husaj Rugova.

Të akuzuarin Durim Lushaj e mbrojnë dy avokatë, Gëzim Kollqaku dhe Sali Mekaj.

Me rastin e prezantimit të ekspertizës së re psikiatrike për të akuzuarin Durim Lushaj, pas paraqitjes së kundërshtimeve nga ana e avokatit Kollqaku, kërkoi që kundërshtimin ta bëjë edhe avokati Mekaj.

Kryetarja e trupit gjykues nuk ia lejoi kundërshtimin me arsyetimin se për këtë është deklaruar mbrojtësi kryesor.

Avokati Mekaj deklaroi se më këtë veprim gjykata i tejkalon autorizimet ligjore dhe shkelen të drejtat e të akuzuarit në procedurë, duke kërkuar kështu bazën ligjore për këtë vendim të gjykatës.

Pasi trupi gjykues u tërhoq për konsultim mori vendim që t’i lejohet edhe avokatit Mekaj si mbrojtës i dytë parashtrimi i komenteve dhe pyetjeve, por jo që të dy mbrojtësit të deklarohen për të njëjtën çështje.

“Lejohet parashtrimi i komenteve dhe pyetjeve nga ana e mbrojtësit të dytë mirëpo vetëm pas konsultimit me mbrojtësin e parë, por jo që për të njëjtën çështje të marrin fjalën të dytë”, tha gjykatësja Husaj-Rugova.

Ndryshe, në këtë gjykim u dëgjuan dy ekspertë psikiatrikë që kanë përpiluar ekspertizën psikiatrike të vitit 2018 për të pandehurin Durim Lushaj.

Të dy ekspertët deklaruan se tek i akuzuari Lushaj ka pasur elemente të afektit mendor.

“Si përfundim mund të themi se ka elemente të afektit ku dëmtohet gjykimi për veprën dhe kontrolli i veprimeve të tij gjatë kryerjes së veprës”, tha eksperti.

Trupi gjykues kërkoi të dijë nga ekspertët se me rastin e marrjes së vendimit a i kanë pasur parasysh edhe deklaratat e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve dhe se a e kanë pasur një pasqyrim të saktë të ngjarjes.

Eksperti Aid Bunjaku tha se i kanë vlerësuar deklaratat e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve por për shkak të kontradiktave mes tyre, nuk i kanë marrë parasysh me rastin e marrjes së vendimit.

Ndërsa eksperti Fahri Brevinja tha se vetëm pjesërisht janë marrë parasysh këto deklarata.

Trupi gjykues kërkoi edhe të ceken këto kontradikta që sipas ekspertëve kanë ekzistuar.

Vërejtje pati edhe nga palët e dëmtuara, që deklaruan se ekspertët po e luajnë rolin e avokatit mbrojtës të të akuzuarit Durim Lushaj.

Në seancën e sotme u prezantua edhe ekspertiza e re psikiatrike për të akuzuarin Durim Lushaj, e cila u kundërshtua nga avokatët e palëve të akuzuara.

Seanca e radhës mbahet më 17 mars.

Prokuroria e Pejës po i akuzon Sali e Durim Lushajn, që janë babë e bir, për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.

Aktakuza e Prokurorisë së Pejës, specifikon se Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti sipas aktakuzës, pasi kishte vrarë Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt me armë zjarri.

Për këtë rast Gjykata e Pejës e kishte dënuar Durim Lushajn me 25 vite burgim, ndërsa Sali Lushajn me 18 vite burgim, por pas ankesës së mbrojtjes, rasti është kthyer në rigjykim.

Seanca për vrasjen e vëllezërve në Deçan shtyhet për në tetor