Foto: KALLXO.com

Vrasja e dy vëllezërve në Deçan, Gjykata e refuzon pranimin e fajësisë nga i akuzuari

Në rigjykimin për vrasjen e Rexhep dhe Burim Ramajt, për çka po akuzohen babë e bir, Sali e Durim Lushaj, Gjykata e ka refuzuar pranimin e fajësisë nga ky i fundit.

Trupi gjykues me kryetare gjyqtaren Violeta Husaj- Rugova e refuzoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Durim Lushaj me arsyetimin se i njëjti nuk e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës.

Në seancën e sotme pos fjalës hyrëse të palëve në procedurë u dëgjuan në cilësi të dëshmitarëve babai dhe vëllai i viktimave të rastit.

Paraprakisht i akuzuari Durim Lushaj e pranoi fajësinë për vrasje dhe armëmbajtje, por që sipas tij këto veprime kanë qenë pa dashje.

“Unë i pranoj dy vrasjet dhe armëmbajtjen por jo me dashje”, tha Durim Lushaj.

Gjersa babai i tij, i akuzuari Sali Lushaj, e mohoi fajësinë për veprat penale qe i vihen në barrë.

Prokurori i rastit Haxhi Sinanaj në fjalën hyrëse tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, duke shtuar  se me administrimin e provave në këtë shqyrtim gjyqësor, më dëgjimin e dëshmitarëve, do të provohet se qëndrojnë te gjitha elementet e veprave penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Fjalën hyrëse para trupit gjykues e dhanë edhe të dëmtuarit.

“ Atë ditë ka qenë një masakër e rëndë, kanë qenë të dytë me armë dhe i kanë vra. Çfarë shteti është ky që nuk i ka kërkuar thikat?”, tha Gani Ramaj, babai i të ndjerëve.

“Kanë bërë çka nuk bëhet. Kanë vra njerëz duke lënë fëmijë jetimë”, tha Agonis Ramaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Durim Lushaj, avokati Gzim Kollqaku në fjalën hyrëse tha se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë në gjykimin e parë, duke shtuar se i mbrojturi i tij që nga fillimi i kësaj çështjeje penale asnjëherë nuk e ka mohuar faktin se ditën kritike me armën që e ka poseduar i ka privuar nga jeta viktimat,  por që kontestohet mënyra se si është përshkruar dispozitivi.

Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit Sali Lushaj, avokate Kosovare Kelmendi, tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të mëhershme, duke shtuar  se në fund të procesit gjyqësor pas administrimit të të gjitha provave do të vërtetohet se Sali Lushaj mund të shpallet fajtor vetëm për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje për të cilën fillimisht është dyshuar dhe është vazhduar hetimi për 3 muaj.

Dëshmitari Gani Ramaj deklaroi se qëndron pranë asaj çka ka thënë më herët duke shtuar se ia ka lënë Gjykatës që të gjykojë këtë çështje penale.

Vëllai i viktimave, dëshmitari Tafë Ramaj, tregoi para trupit gjykues për ngjarjen e ditës kritike, raportet e tij me familjen Lushaj si dhe për takimin me vëllain e të akuzuarve një natë para vrasjes.

“Unë kam qenë në shitore kur i kam dëgjuar disa krisma dhe kur kanë shkuar ata të Ratishit, Ali Arifaj dhe Ukë Arifaj, më kanë thirrë ata në telefon dhe me thanë Tafë të dera jote plot gjak, dikush ish vra.  Kur kam shkuar e kam gjetë babën dhe axhën aty e viktimat s’i kam gjetur aty sepse i kanë transportuar nga vendi i ngjarjes”,  tha dëshmitari Ramaj, duke përshkruar momentet kritike të datës 25 gusht 2016.

I pyetur nga prokurori i  rastit Haxhi Sinanaj lidhur me raportet me familjen Lushaj, dëshmitari tha se i akuzuari Sali Lushaj ka qenë “i mallkuar”, madje e ka rrahur atë, dhe se pastaj  me të njëjtit janë distancuar për shkak të problemeve që i kanë shkaktuar në fshat ata.

Po ashtu, dëshmitari tha se të akuzuarit e kanë gjuajtur me armë axhën e tij, Rrustem Ramaj, duke tmerruar kështu fëmijët.

“Kohëve të fundit prej kur filluan me bo probleme sepse të njëjtit rreh atë, kall ata, kështu që jemi distancuar”, tha ai.

Pasi avokatja Kosovare Kelmendi e ballafaqoi me deklarimet e tij të mëhershme lidhur me këtë, dëshmitari u përgjigj se “E vërtetë është se nuk kemi pasur probleme, por ne nëse kishim pas najsend me ta nuk i kishim pritë duarthatë të dera”.

Lidhur me takimin e tij me vëllanë e të akuzuarve, Dervish Lushajn, një natë para ditës kritiken dëshmitari tha se Dervish Lushaj i kishte ftuar në shtëpinë e tij për shkak të pretendimit se këta familja Ramaj po ia dëmtojnë autobusët, e që dëshmitari i kishte treguar që autobusët ia kishte dëmtuar Sali Lushaj.

“Jemi lodhur nëpër gjykata me na vra te dera e shtëpisë as serbet kështu nuk na kanë bërë”, tha dëshmitari Tafë Ramaj në fund të dëshmisë se tij.

Prokurorja Kundërshton Ekzaminimin Psikiatrik të Durim Lushajt

Seanca e radhës mbahet më 13 nëntor.

Sali e Durim Lushaj, që janë babë e bir, akuzohen për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramaj bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt me armë zjarri.