Rrëfimi i dëshmitarit për vrasjen e dy vëllezërve Ramaj në Deçan

 

Gjykata e Pejës ka vazhduar procesin gjyqësor për vrasjen e Rexhep dhe Burim Ramajt, vrasje për të cilën po akuzohen babë e bir, Sali e Durim Lushaj.

Sot para trupit gjykues u dëgjuan tre dëshmitarë.

Dëshmitari Mustafë Ramaj mbeti pranë deklarimeve të tij të mëhershme, dukë shtuar se të akuzuarve nuk ju ka parë armë.

“Në të gjitha deklaratat ke thënë që nuk ke pa armë, e po thua që ke qenë t`u i kqyr?”, u pyet nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj Rugova.

“Nuk i kam parë armë sepse kanë qenë me shpinë pas meje”, u përgjigj ai.

Dëshmitari Ukë Hajdaraj, para trupit gjykues tha se të akuzuarve Durim dhe Sali Lushaj, ju kishte parë armë në dorë, por nuk i kishte parë duke gjuajtur.

Ndërsa viktimave të rastit tha se nuk ju kishte parë asgjë afër tyre.

Prokurori i rastit Haxhi Sinanaj për shkak të ndërrimit të deklaratës nga ana e dëshmitarit e ballafaqoi atë me dëshminë e dhënë në prokurori.

“Unë kam dal jam nisur në drejtim të turmës, me se çka po ndodh, por është e vërtetë se nga vetura e kam parë Saliun dhe Durimin me armë duke shtënë, por nuk e di se në cilin person, por i kam parë që të dy të kthyer në drejtim të Burimit dhe Rexhepit”, lexoi prokurori.

“Po i kam parë dhe ashtu si kam deklaruar është, por është kohë e gjatë nuk me kujtohet”, tha dëshmitari.

Sipas tij ngjarjen e kishte më të qartë atëherë se sa sot.

Mbrojtësja e të akuzuarit Sali Lushaj, avokatja Kosovare Kelmendi, gjithashtu e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratat e tij të vitit 2017.

“I kam parë Durimin dhe Saliun me revole, nuk i kam parë ku kanë gjuajtur në ajër apo viktima, por krismat i kam dëgjuar, dhe kanë qenë andej turmë”, lexoi avokatja.

“Është e saktë çka kam thënë më herët dhe deklarimet e mëhershme”, tha ai.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, vëllai Tafë Ramaj, tha se dëshmitari është emocional, andaj e pyeti atë se a ka pasur ndonjë presion apo sulm pas rastit.

Paraprakisht palët patën vërejtje për shkak të kontradiktave në deklarimin e tij.

“Presion jo por sulm kriminal, i kom pasur 16 anëtarët e familjes. Mbi 20 herë është gjuajtur, një gjë të tillë as serbët nuk na kanë bërë”, tha ai.

Dëshmitari tha se është shumë i mllefosur, sepse sipas tij ka një vit që ka lajmëruar rastin, e që prokuroria as që kishte dalë në vendngjarje.

“Nëse nuk e zgjidh shteti i Kosovës do të kërkoj ndihmë nga Bashkimi Evropian”, shtoi ai.

Prokurori Sinanaj tha se prokurori kujdestar ka qenë një prokuror i departamentit të përgjithshëm, e poashtu lidhur me rastin ju drejtua me pyetje dëshmitarit.

“Këto që po i thua këtu a i ke deklaruar në polici?” pyeti prokurori.

“Po, policia e ka thirr prokurorin, por ai nuk ka ardhur në vendin e ngjarjes sepse ka qenë ditë e diele”, u përgjigj dëshmitari.

Në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe Arben Beqiraj.

Ai tha se ditën kritike e kishte parë Durimin në vendngjarje dhe se pastaj kishte ardhur babai i tij, i akuzuari Sali Lushaj.

Dëshmitari poashtu tha se nuk i kujtohet se kush – kë e ka sulmuar, andaj prokurori e ballafaqoi me deklaratën e tij të mëhershme.

“Unë pastaj jam kthyer dhe në ato momente, Durimi ka sulmuar në drejtim të Rexhepit”, lexoi prokurori.

“Mbes pranë asaj çka kam deklaruar por ka mundësi që tash kam harruar diçka”, tha dëshmitari.

Gjykatësi Arben Mustafa duke ja lexuar deklaratën e tij, pyeti dëshmitarin se: “Mundesh me na treguar se a e ke dëgjuar duke i thënë Durimi – Burimit, rri urtë se e han plumb”.

“Nuk më kujtohen fjalët, por deklaratës nuk i shmangem”, tha dëshmitari.

Sali e Durim Lushaj, babë e bir, akuzohen për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramaj, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt me armë zjarri.

Prokurorja Kundërshton Ekzaminimin Psikiatrik të Durim Lushajt

.