Foto: Kallxo.com

Vrasja e dyfishtë në Shaptej të Deçanit: Dëshmitari thotë se i pa të akuzuarit me armë në dorë

Një dëshmitar që doli të enjten në gjykatën e Pejës për ta dhënë versionin e vet për një konflikt që rezultoi me dy të vrarë në një fshat të Deçanit tha se ditën kritike i kishte parë dy të akuzuarit për këto vrasje me armë në dorë.

Por në dëshmi, Metë Ramaj tha të ketë parë vetëm njërin prej tyre të ketë shtënë nga arma që e mbante.

Babë e bir, Sali e Durim Lushaj, po akuzohen nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e 25 gushtit të vitit 2016 në fshatin Shaptej të Deçanit.

Vëllezërit Rexhep e Burim Ramaj nga ky fshat mbetën të vrarë nga plumbat e shkrepur atë ditë.

Metë rrëfeu se ditën kritike para dyerve të Gani Ramajt ishte një tollovi me njerëz e aty, sipas dëshmitarit, ishte edhe Durim Lushaj me revole në dorë.

“I thash heke atë allti prej dorës, e largohu prej këtu”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se Durim Lushaj në ato momente ka shtënë me revole në Rexhep Ramajn.

Ai tha se distanca mes Durimit dhe Rexhepit ishte “4 metra diku”.

Ramaj tha se me revole në dorë ishte edhe Sali Lushaj.

“Me armë e kam parë vetëm Durim dhe Sali Lushajn”, tha Ramaj.

Pasi u ballafaqua me një deklaratë të tij të dhënë në prokurori nga mbrojtësja e të akuzuarit Sali Lushaj, avokatja Kosovare Kelmendi, dëshmitari Ramaj tha se e ka parë Sali Lushaj me armë, por jo duke shtënë.

Sali e Durim Lushaj, që janë babë e bir, akuzohen për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen me armë zjarri të Rexhep Ramajt.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet për vrasjen me armë zjarri edhe të Burim Ramajt.

Në seancën e sotme, fillimisht mbrojtësi i të akuzuarit Durim Lushaj, avokati Gëzim Kollçaku, kërkoi që dëshmitari Ramë Ramaj të mos dëgjohet për shkak se në seancën e kaluar, dëshmitari kishte qëndruar në sallë dhe prokurorja tjetër kishte heqë dorë nga dëgjimi i tij.

Prokurori Haxhi Sinanaj tha se nuk e di nëse dëshmitari ka qëndruar në sallë gjatë gjithë kohës, duke ia lënë trupit gjykues në vlerësim.

Trupi gjykues me kryetare, gjyqtaren Violeta Husaj Rugova deklaroi se mbetet ne fuqi vendimi qe të dëgjohet dëshmitari Ramë Ramaj.

Seanca pritet të vazhdojë gjatë ditës me dëgjimin e dëshmitarit Ramë Ramaj.