Kërkohet dënim me burgim të përjetshëm për të dyshuarin për vrasje të gruas

Prokuroria dhe avokati i palës së dëmtuar, kanë kërkuar burgim të përjetshëm për qytetarin Bajram Velija, i akuzuar për vrasje të bashkëshortes së tij me 14 plumba, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Prizrenit.

“Unë nuk po shoh asnjë mundësi tjetër që i akuzuari të dënohet pos me dënim me burgim të përjetshëm”, tha Arianit Koci avokat i palës së dëmtuar.

Ai, në seancën e sotme gjyqësore mbajtur në Gjykatën e Prizrenit, tha se vrasja e tashmë të ndjerës A.A-V është një prej rasteve më brutale në Kosovën e pas luftës, andaj gjykata duhet të përcjellë mesazh se kësi lloj vrasje nuk guxon të ndodhë dhe kushdo që  kryen këtë lloj vrasje duhet ta merr dënimin kapital, i cili nënkupton burgim të përjetshëm.

“Vrasja është kryer në mënyrë brutale, pasi që ka dalë viktima nga shtëpia, i akuzuari e ka ndjekur rreth 1 kilometër dhe e godet me secilin plumb në pjesën e lartë të trupit, e kjo dëshmon shkallën e lartë të dashjes që t’ia merr jetën”, tha Koci.

Edhe përfaqësuesja e prokurorisë Ervehe Gashi, gati një orë elaboroi fjalën përfundimtare duke kërkuar që ndaj të akuzuarit gjykata të zbatojë dënimin maksimal, ngase për kryerjen e veprës penale i akuzuari ka vepruar me dashje direkte, e cila vërtetohet me faktin se fillimisht i akuzuari ishte pajisur me armë, e ka ndjekur rreth 1,000 metra viktimën dhe më pas ka shtënë 15 herë në drejtim të saj.

“Në momentin kur viktima ishte privuar nga jeta, ishte vetëm 48 vjeçe dhe pas vetes la dy vajza jetime të cilat më herët e kishin humbur babanë e tyre”, shtoi Gashi.

Tashmë janë bërë dy vite që nga vrasja brenda familjes e cila tronditi Prizrenin. Pak para mesnate, Bajram Velija disa metra larg shtëpisë së tyre, dyshohet se goditi me 14 plumba të armës së zjarrit, që ishte në posedim të tij, bashkëshorten A.A-V.

I akuzuari Bajram Velija. Gjatë seancës tha se këtë vrasje nuk e ka kryer me dashje. Ai deklaroi se dënimi për këtë rast nuk e tremb, ngase dënimi mund të bëhet gjithsesi nga njerëzit, por më së miri nga Zoti.

“E nderuar gjykatë, unë kërkojë falje nga të gjithë, familjarët dhe vajzat për atë që ka ndodhur. Por, kurrë mos ta mendojnë që vrasja ka qenë e planifikuar, ose është kryer me dashje”, tha i akuzuari Velija.

Po ashtu, ai sqaroi se në momentin kritik e ndjera i kishte thënë se “nuk të dua” dhe pas 2-3 hapave ishte kthyer në shtëpi dhe nuk e dinte se çka kishte ndodhur me të, pasi atij i ishte shfaqur një “katror i zi”.

Të njëjtën gjë e potencoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Orhan Rekathati, ku përpara trupit gjykues të përbërë nga gjykatësit Raima Elezi, Fidan Hoxha dhe Sami Gashi, ai deklaroi se vrasja nuk ishte kryer me dashje.

“Në momentin e vendosjes për privim nga jeta të tashmë të ndjerës A.A-V, atij i ka rënë në sy “një katror i zi” dhe duke shtënë në drejtim të viktimës ka humbur vetëdijen se çka është duke bërë”, shtoi avokati Rekathati.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast, do të bëhet të premten me datë 1 tetor 2021.

Aktakuza e datës 28 shkurt 2020, po e ngarkon Bajram Velijën se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A. A. – V.

“Në momentin kur viktima largohet nga shtëpia i akuzuari pajiset me pistoletë dhe del nga shtëpia,  i afrohet tashmë të ndjerës A.A.V., e drejton pistoletën në drejtim të saj, duke shtënë 15 herë me ç’rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit “ thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit.

Nga goditja e predhave viktima rrëzohet për tokë, dhe nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

Tutje, sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për rrjedhën e këtij gjykimi.

Fillon seanca ndaj të dyshuarit për vrasjen në Prizren

 

 

(FOTO) Vendi ku ndodhi vrasja në Prizren

Tragjedia në Prizren: Gruaja u vra pasi kërkoi ndarjen nga burri