(FOTO) Vendi ku ndodhi vrasja në Prizren
Mëngjesin e sotëm një 61 vjeçar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij.
KALLXO.com po qëndron sot në shtëpinë e të dyshuarit i cili mbrëmë rreth orës 23:00 dyshohet se ka vrarë gruan e tij.
Në shtëpinë e të dyshuarit nuk ndodhet asnjë person edhe pse dyert e shtëpisë janë të hapura.
KALLXO.com ka provuar të marrë një deklaratë nga fqinjët dhe banorët përrreth në lidhje me rastin, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin për të.
Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka dhënë për KALLXO.com detaje se si ka ndodhur rasti, duke treguar se i dyshuari ka telefonuar vetë policinë pasi dyshohet se e ka vrarë bashkëshorten e tij.
“Vet i dyshuari e ka telefonuar policinë mbrëmë rreth orës 23:00, dhe ka raportuar se e ka vrarë bashkëshorten e tij. Megjithatë ende nuk e kam pranuar deklaratën e tij që e ka dhënë në polici dhe ende nuk dihet motivi i saktë i vrasjes”, ka thënë Gashi.
Ajo tutje ka shtuar se është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ku janë gjetur më shumë se një gëzhojë.
“Trupi i viktimës është dërguar në IML, ndërsa i dyshuari është në ndalim për 48 orë dhe do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj tij”, ka thënë prokuroria.
Tutje, prokurorja ka bërë të ditur se ka verifikuar nëse nga viti 2005 e deri më tani ka ndonjë rast të paraqitur për dhunë në familje nga viktima, por e njëjta ka thënë se nuk ka gjetur një rast të tillë.