Bajram Velija pranon se e vrau gruan

Në gusht të vitit 2019, në Prizren, lagjen Ortakoll në rrugën “Hysni Morina”, rreth orës 23:00, një grua kishte mbetur e vrarë nga 14 plumba të armës së zjarrit, që ishte në posedim të bashkëshortit të saj.

Bajram Velija, bashkëshorti i të ndjerës, ishte i dyshuari i vetëm për këtë vrasje, e sipas dyshimeve të Prokurorisë deri te ngjarja kishte ardhur pasi që bashkëshortja e të dyshuarit kishte kërkuar ndarjen nga ai.

Prokuroria po e ngarkon të akuzuarin Bajram Velija për dy vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Velija, në shqyrtimin e sotëm u mor në pyetje nga mbrojtësi i tij Orhan Rekathati.

Mbrojtësi Rekathati, kërkoi nga i akuzuari Bajram Velija që përpara trupit gjykues të deklarohet lidhur me faktin se në prokurori, ai kishte thënë se e ka privuar nga jeta bashkëshorten A. A.-V., mirëpo e kishte mohuar se këtë vrasje e kishte kryer me dashje.

Fillimisht, i akuzuari sqaroi se nuk e kishte planifikuar dhe nuk e kishte dëshiruar një gjë të tillë t’ia bëjë anëtarit të familjes apo gruas me të cilën kishte kurorë. Kurse, sa i përket elementit të dashjes, Velija e mohoi këtë fakt.

“Momenti i vrasjes nuk ka të bëjë aspak me dashje, në momentin kur ka ndodh rasti, këtë mundem me iu thënë se nuk ishte me dashje”, deklaroi i akuzuari.

Ditën kritike, përpara se të ndodhte vrasja, Bajram Velija rrëfeu se me viktimën kishin dalë në treg, më pas nga ora 18:00 ishin kthyer në shtëpi dhe kishte rënë për të fjetur, kurse diku rreth orës 20:00 sipas të akuzuarit viktima, gruaja e tij tashmë e ndjerë  i ishte drejtuar me disa fjalë të çuditshme.

“Kurrë s’të kam deshtë, nuk të dua dhe nuk të rri, më tha ajo, dhe më pas doli nga dhoma”, deklaroi i akuzuari.

Kurse, pas kësaj ngjarje sipas tij, në orën 23:00 kur ishte zgjuar nga gjumi e kishte vërejtur se e ndjera, gruaja e tij s’kishte qenë në shtëpi.

“U çudita se paska dalë pa më treguar, më pas mora çelësat dhe i armatosur, me armën të cilën e mbaj gjithmonë nën jastëk, dola jashtë dhe shkova afër vendit – marketit ku kishte qenë A.A.V”, tha i akuzuari.

Më pas, i akuzuari nga mbrojtësi i tij u pyet përse e kishte marr revolen dhe e kishte vrarë A. A.-V., gruan e tij, ai shpjegoi se diçka e çuditshme kishte ndodhur me të.

“Kur dola tek marketi, aty për aty për një moment të shkurtë nuk e di se çka ndodhi me mua, u bllokova, më iku truri, është e çuditshme por përballë meje erdhi në drejtim një katror i zi, ku dhe kam shtënë në të”, tha Velija.

Tutje sqaroi se ai kishte shtënë në “katrorin e zi”, kurse anash tij kishte qenë e ndjera gruaja e tij, dhe kur e kishte kthyer kokën prapa e kishte parë A. A.-V., në tokë.

Lidhur me “katrorin e zi”, i akuzuari në përfundim të gjykimit deklaroi se kishte qenë hera e parë që i kishte ndodhur, dhe kësi momente nuk kishte pasur asnjëherë në jetë.

Pas marrjes në pyetje të të akuzuarit Velija, përfaqësuesja e prokurorisë Ervehe Gashi, nga gjykata kërkoi një kohë të arsyeshme për përgatitjen e fjalës përfundimtare.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, mori vendim që shqyrtimi i sotëm të ndërpritet dhe i njëjti të caktohet me datë 29 shtator 2021.

Sipas Prokurorisë, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A. A. – V.

Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

Kurse, sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për rrjedhën e këtij gjykimi.