VIDEO – Gjithçka që ndodhi në seancën e dënimit të gruas së kthyer nga Siria

E shoqëruar nga avokatja e vet, Merita Aliu ka hyrë të martën në sallën e gjykatës në Prishtinë për të shprehur pendimin e saj për atë që ka bërë vite më parë kur iu bashkua grupit të kosovarëve që kishin marrë udhën drejt frontit në Siri.

30 vjeçarja nga Zhegra e Gjilanit ka qëndruar në karrigen e skajshme të rendit të parë të sallës së gjykatës për ta pritur fillimin e seancës fillestare në rastin ndaj saj.

Merita ishte në mesin e 32 grave që ishin kthyer nga Siria në muajin prill të këtij viti pas një aksioni masiv të rikthimit të mbi 110 kosovarëve nga atje.

Ajo po gjykohej në Prishtinë për kryerjen e veprës penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.

Gjatë seancës së sotme Merita u deklarua se ajo kishte pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë që nga koha kur ishte kthyer dhe shprehu pendim të thellë duke deklaruar se sikur ta kthente kohën mbrapa, nuk do të vepronte njësoj.

“E pranoj fajësinë dhe jam penduar shumë. Prej fillimit kur jam ardhur, kam thënë që jam penduar, nëse e kisha kthyer kohën  nuk do ta bëja kurrë këtë gabim” tha ajo.

Sapo e pranoi fajësinë, prokurori Naim Abazi i propozoi gjykatësit që ta pranojë atë, duke e konsideruar në përputhje me kodin e Procedurës Penale dhe shkresat e lëndës.

Pasi edhe gjykata ia pranoi fajësinë, mbrojtësja e saj Leonora Dervisholli Pacolli kërkoi kjo të merret si rrethanë posaçërisht lehtësuese kur t’i shqiptohet dënimi.

Ajo gjithashtu kërkoi që Gjykata të ketë parasysh faktin se e akuzuara është edhe nënë vetushqyese dhe e ka njërin nga fëmijët të sëmurë prandaj i propozoi gjykatës që asaj t’i shqiptohet dënimi sa më i lehtë, duke sugjeruar një dënim me kusht.

Edhe vet e akuzuara kërkoi një dënim sa më të lehtë në mënyrë që të re-integrohet në shoqëri dhe të ketë një “jetë reale”.

“Kisha dashtë një dënim më të lehtë që me mujt me u kujdesë për vajzën, me u re-integru në shoqëri, me pas tamon një jetë reale”, tha ajo.

Se dënimi me kusht është adekuat për arritjen e qëllimit të dënimit u pajtua edhe Prokurori i rastit, Naim Abazi.

Prokurori gjithashtu tha se deri në ngritjen e aktakuzës, e akuzuara ka qenë bashkëpunuese me prokurorinë dhe është deklaruar se është penduar thellë.

Gjyqtari i rastit, Valon Kurtaj të akuzuarën e shpalli fajtore për veprën e cila i vihet në barrë duke i shqiptuar dënimin prej dy vite e gjysmë burgim me kusht. Ky dënim nuk do të ekzekutohet në afatin prej 3 viteve, nëse e akuzuara nuk kryen vepër tjetër penale.

Të akuzuarës njëkohësisht i shqiptohet edhe vizita te psikologu dhe mbikëqyrja nga shërbimi sprovues si dhe të veprojë në bazë të rekomandimeve të psikologut dhe këshillëdhënësit.

Duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të të akuzuarës Gjykata vendosi ta lirojë atë nga shpenzimet procedurale.

Në bazë të aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, e akuzuara Merita Aliu me vetëdije dhe dëshirë në korrik të vitit 2015 ka kaluar pikën kufitare Hani i Elezit në drejtim të Maqedonisë, pastaj nga Aeroporti i Shkupit po të njëjtën ditë ka udhëtuar në Turqi dhe pastaj në Siri, me qëllim që të marrë pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste, ku pastaj ka përfunduar në territor të kontrolluar nga ISIS, duke kaluar në zonën e konfliktit Siri-Irak, duke iu bashkuar grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al Nura” e cila në këto grupe ka marrë pjesë bashkëvepruar dhe vepruar deri në dhjetor të vitit 2017.

Institucionet e Kosovës kthyen në Kosovë, në prill të këtij viti, 110 kosovarë, të cilët ishin në zonat e konfliktit në Siri.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, një ditë pas kthimit të tyre në Kosovë, kishte njoftua se nga Siria u kthyen katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë.

KALLXO.com kishte raportuar se 32 gratë e kthyera janë duke u hetuar nga institucionet e Kosovës.

Sipas prokurorit Sylë Hoxha të njëjtat kishin qenë edhe më parë nën hetime.

“Hetimet do të vazhdojnë, sepse ato edhe më parë kanë qenë nën hetime, por hetimet janë pezulluar për shkak se kanë qenë të paarritshme për prokurorinë, kështu që do të rifillojnë hetimet për 32 prej tyre, për momentin” kishte thënë ai.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më parë për gratë e kthyera nga Siria, raportimet mund të i gjeni në këtë link.