Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Tri vjet burg për grabitje me thikë në pritë

Liman Sylejmani, i akuzuar për grabitjen e 300 eurove, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vite burgim dhe 300 euro gjobë nga gjykata në Prishtinë.

Trupi gjykues i udhëhequr nga  gjykatësi Hamdi Ibrahimi, dhe anëtarët Violeta Namani dhe Naser Foniqi shpallën verdiktin  me të cilin e dënuan Liman Sylejmani për veprën  penale grabitje me dënim me burgim prej 3 vitesh dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro.

Sylejmani akuzohej se më 29 mars 2014 rreth orës 23:00 në rrugën “Iljaz Agushi” në Prishtinë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme duke përdorur forcën  ndaj të  dëmtuarit Valon Muqiqi me të cilin ishte në shoqëri.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi i akuzuari Sylejmani ka kuptuar se i dëmtuari me vete kishte  300 euro ndahet nga shoqëria me të duke shkuar para tij në rrugën “Iljaz Agushi” e ka pritur të dëmtuarin i cili ishte duke u kthyer në shtëpi e kishte sulmuar atë duke e mbajtur në dorë thikën dhe e kishte kërcënuar duke i thënë t’ia japë paratë që i kishte me vete dhe nën kërcënimin e thikës ka arritur që nga i dëmtuari të marrë shumën prej 300 euro.

Pas kësaj ngjarjeje, ai ishte larguar në drejtim të panjohur.

Dënimi me gjobë është i obliguar ta paguajë brenda 15 dite pasi ta marrë aktgjykiminnë formën e prerë. Në rast se nuk paguhet dënimi me gjobë, atëherë  ai do të zëvendësohet me dënim me burgim ashtu duke llogaritur 20 euro për 1 ditë burg.

Gjithashtu, në emër të paushallit, Liman Sylejmani u obligua në shumë prej 30 euro kurse në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit ai u obligua në ta paguajë shumën prej 50 euro të cilat duhet të paguhen brenda 15 ditë pasi vendimi të marrë formën e prerë.

Ndërsa i dëmtuari Valon Muqiqi kërkesën pasuroro-juridike u udhëzua  ta realizojë në kontest civil.