Arma e sekuestruar që dyshohet se u përdor në grabitje në Ratkoc të Rahovecit. Foto: Policia e Kosovs

Grabitja në Ratkoc, Policia konfiskon një "Kallashnikov" që dyshohet se u përdor në rast

Një armë zjarri automatike e llojit “AK-47” me një karikator dhe dy fishekë janë sekuestruar në rajonin e Gjakovës nga Policia e Kosovës.

Arma në fjalë dyshohet se është përdorur në një rast grabitjeje që ka ndodhur më 23.02.2024 në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Siç u theksua në njoftimin policor, persona të maskuar dyshohet se në datën e lartshënuar nën kërcënimin e armës kishin grabitur stoli ari dhe para të gatshme nga dy viktima.

Policia tha se në vendin e ngjarjes në kohën e incidentit ishte gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe një fishek.

Në njoftim është thënë se zyrtarët policorë kanë arrestuar një të dyshuar, i cili me vendim të prokurorit në koordinim me të cilin janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Po ashtu Policia tha se janë në kërkim edhe të një të personi tjetër të identifikuar që dyshohet se ka lidhje me rastin në fjalë.

Njoftimi i Policisë bëri të ditur se me të marrë informatën për ngjarjen, sektori i Hetimeve Rajonale i ngarkuar me hetimin e rastit, ka filluar me hetime intensive në drejtim të identifikimit dhe arrestimit të kryesve.

Policia shpjegoi se fillimisht është arritur të identifikohet vetura e cila dyshohet të jetë përdorur nga të dyshuarit gjatë grabitjes.

Tutje u tha se më 05.03.2024 është zbatuar urdhër kontroll i lëshuar nga Gjykata në dy lokacione të ndryshme, ku gjatë kontrollit një njërin lokacion është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatike e llojit “AK-47” me një karikator dhe dy fishekë, e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin e grabitjes.