ARKIV - Rashit Qalaj, Policia e Kosovës. Foto: Kallxo.com

Rashit Qalaj përballë Sami Lushtakut në rastin e arratisjes nga QKUK-ja

Drejtori aktual i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj sot pritet që të dëshmojë në gjykimin ndaj Sami Lushtakut për rastin e arratisjes nga QKUK-ja në kohën kur po gjykohej për krime lufte.

Në këtë rast përveç kreut të PDK-së dega në Skenderaj, Sami Lushtaku, të akuzuar janë edhe persona të tjerë.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e kishte liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.

 

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë proces gjyqësor i njohur si “arratisja e Sami Lushtakut nga QKUK-ja” – LINK