Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Polici e goditi të dëmtuarin me grushte e shqelma edhe pas prangosjes

Në Gjykatën e Mitrovicës nuk është mbajtur seanca gjyqësore në rastin e zyrtarit policor, Radoica Kasaloviq, i cili akuzohet për lëndim të lehtë trupor të të dëmtuarit Millan Iliq.

Arsye e mosmbajtjes së seancës ishte mungesa e avokatit Miodrag Brklaq, për të cilin u konstatua se ishte në pushime.

Prandaj, gjyqtari Bekim Veliqi e shtyu seancën për më 16 gusht.

Prokuroria pretendon se i akuzuari gjatë detyrës zyrtare i shkaktoi lëndime të dëmtuarit për arsye personale.

Ngjarja pretendohet të ketë ndodhur më 20.10.2015  rreth orës 20:00, në Ballaban të Zveçanit, kur i pandehuri me kolegët e tij e kishte ndalur një veturë të cilën e drejtonte i dëmtuari.

Për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme, Prokuroria pretendon se kur i pandehuri e ka parë të dëmtuarin, i ka shkuar nga prapa dhe e ka goditur në fytyrë. I dëmtuari, thuhet në aktakuzë, është goditur me grushte e shqelma edhe pasi i janë vënë prangat. Goditjet kanë qenë në kraharor dhe në pjesën e veshkave , duke i shkaktuar ndrydhje me pasojë të përkohshme për shëndetin.