Foto: KALLXO.com

Prokuroria: I akuzuari vidhte bateritë e automjeteve dhe instalimin elektrik nga shtëpitë

Gjykatësi Gëzim Ademi i Gjykatës së Mitrovicës e ka shtyrë seancën gjyqësore në rastin e Arben Hasanit, i akuzuar për vjedhje të baterive nga automjete dhe shtëpi në Koshtovë dhe Mitrovicë.

Sipas Prokurorisë, Arben Hasani akuzohet se në periudhën kohore mes  2 majit 2015 dhe 9 gushtit 2015 ka kryer disa raste të vjedhjes në fshatin Koshtovë.

Prokuroria pretendon që mes datave 26-27 korrik 2015 me forcë e ka hapur dritaren e  garazhit të Islam Seferit, ku ka marrë një bateri të veturës, pjesë të aluminit, mandej ka hyrë në shtëpi duke hapur dritaren e pasme dhe ka marrë instalimin e rrymës nga tri dhoma dhe korridori në vlerë prej 800 euro.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se i akuzuari të datave 2 maj 2015 dhe 5 gusht 2015 në kohë të pacaktuar me përdorimin e forcës ka hapur derën e Haxhi Seferit duke depërtuar në bodrum dhe në tri katet e shtëpisë ku ka marrë gypa cilindri me përbërje bakri të destinuara për ngrohje qendrore  në vlerë prej 14.200 euro.

Më 22 korrik 2015, gjatë natës, në rrugën “Ahmet Delia” , me forcë ka marrë baterinë nga traktori i Ramë Ahmetit, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, më 26 korrik 2015 e deri më 4 gusht 2015 në Mitrovicë, në rrugën “Albert Ajnshtajni”, në shtëpinë e Driton Shalës i akuzuari ka marrë 500 metra kabllo elektrike në vlerë prej 1.000 euro.

Ndërsa, më 9 gusht 2015 në orë të pacaktuar me përdorimin e forcës ka hapur dritaren e korridorit të Muharrem Miftarit duke depërtuar në katin e dytë të shtëpisë dhe ka marrë kabllo në gjatësi prej 150 metra në vlerë prej 700 euro.

Prokuroria pretendon po ashtu se i akuzuari më 21 gusht 2015,  rreth orës 03:15,  i pandehuri ka tentuar të marrë sendet të luajtshme nga Bajram Bilalli, mirëpo i njëjti deri sa ishte duke e çmontuar një çezmë në brendinë e shtëpisë kapet nga Policia.

Seanca e sotme u shty për shkak të mungesës së prokurorit Sllobodan Bakiq, të akuzuarit, si dhe të të dëmtuarve Ramë Ahmeti, Bajram Bilalli, Besian Bilalli, Naim Vinarci, Islam Seferi, Muharrem Miftari, Ramadan Seferi, Haxhi Seferi, Admir Isufi,  Admir Miftarit, Labinot Krasniqit dhe Florie Mustafës.