Prokurori Special Haki Gecaj ia lehtëson barrën të akuzuarit për drogë, e organizim të grupit kriminal

Gëzim Abazi dhe Lutfi Nebiu janë ulur sot në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila i ngarkon ata me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale dhe shitjen-shpërndarjen e narkotikëve.

Në këtë çështje akuzoheshin Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi, Fatos Ahmeti, Gëzim Abazi, Fatmir Statovci, Zeqir Berisha, Lutfi Nebiu dhe Amir Sherifi (i cili gjendet në arrati).

Gëzim Abazi akuzohet për shkak të veprës penale, ndihma në kryerjen e veprës penale (blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve apo substancave psikotrope), kurse Lutfi Nebiu akuzohet për shkak te veprës penale dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Prokurori i Prokurorisë Speciale Haki Gecaj sa i përket dispozitivit II, të aktakuzës që e përfshin të akuzuarin Gëzim Abazi bëri rikualfikimin e veprës penale nga pjesëmarrja ose organizimi kriminal në veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale (blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve apo substancave psikotrope).

Tutje në seancë, kryetari i trupi gjykues Zyhdi Haziri tha se “Dëshmitarët e propozuar në aktakuzë nuk janë ftuar me arsyetimin se janë 8 dëshmitarë dhe Gjykata nuk ka pasur dijeni se për cilat dispozitiva të aktakuzës duhet të ftohen”, tha gjykatësi Haziri.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i Prokurorisë Speciale Haki Gecaj, i akuzuari Gëzim Abazi e pranoi fajësinë për veprën penale që ngarkohet sipas aktakuzës së rikualifikuar nga prokurori Gecaj.

“E pranoj fajësinë me vullnet timin dhe i pa ndikuar nga askush. Ju kam ndihmuar në kryerjen e veprës penale andaj edhe e pranoj fajësinë”, tha shkurt i akuzuari Abazi.

Trupi gjykues aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Gëzim Abazi, pasi pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare, pa presion nga askush, duke qenë i akuzuari në dijeni për pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.

Ndërkaq, i akuzuari Lutfi Nebiu nuk e pranoi fajësinë për veprën penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Meqenëse i akuzuari Nebiu nuk e pranoi fajësinë, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve.

Prokurori Gecaj tha se “Mbetem në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në të njëjtën Gjykatë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor të datës 16.10.2018.

Mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Nebiu, avokati Shemsedin Pira, duke e dhënë fjalën hyrëse tha se “Konsideroj se provat e Prokurorisë nuk qëndrojnë në vërtetimin e fajësisë të të mbrojturit tim”.

Tutje në seancë, prokurori i Prokurorisë Speciale propozoi për dëshmitarë tashmë të dënuarin nga kjo çështje Ramadan Hyseni, pasi që aktgjykimi për të ka marrë formën e prerë dhe nuk ka pengesa ligjore në këtë drejtim dhe se tani nuk e ka cilësinë e të bashkakuzuarit.

“Për dëshmitarët tjerë të cilët janë propozuar në aktakuzë heq dorë nga dëgjimi i tyre pasi nuk do të ndihmonin në zbardhjen e rastit lidhur me të akuzuarin Lutfi Nebiu”, tha në fund prokurori Gecaj.

Pas propozimit të prokurorit për dëgjimin e dëshmitarit, seanca e sotme u shtye për datën 27 mars.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi dhe Fatos Ahmeti, akuzohen se në periudhën kohore shkurt 2017 deri më 30.04.2017 me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale, të grupit të organizuar. Në këtë organizim ka marrë pjesë edhe i akuzuari Amir Sherifi, i cili është në arrati.

Të akuzuarit me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror janë marrë me blerjen, transportin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve të llojit “marihuanë”.

Sipas Prokurorisë, narkotiku ishte i fshehur dhe paketuar në tavolina dhe dërrasa të përgatitura me qëllim transporti dhe shitje në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në Turqi. Nga Policia e Kosovës në total janë sekuestruar rreth 824 kg e 706 gram narkotikë të llojit “marihuanë”.

Kurse të akuzuarit tjerë sipas aktakuzës: Fatmir Statovci, Zeqir Berisha dhe Lutfi Nebiu akuzohen se në një apo në formë tjetër kanë kryer veprën penale dhënia e ndihmës kryerësve të veprës penale pas kryerjes së veprës.

Lidhur me këtë çështje Gjykata e Gjilanit kishte vendosur me datën 16 korrik 2019.

Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi, Fatos Ahmeti, Gëzim Abazi, Fatmir Statovci dhe Zeqir Berisha më 16 korrik 2019 ishin shpallur fajtor nga Gjykata e Gjilanit.

Të akuzuarit Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi, akuzoheshin për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale blerja, posedimi ose shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.

Të akuzuarit Afrim Luma dhe Ramadan Hyseni ishin dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 11 vite si dhe dënim me gjobë në shumë prej 50 mijë euro.

I akuzuari Fehmi Gashi ishte dënuar me 8 vite burg, dhe dënim me gjobë në shumë prej 20 mijë euro.

I akuzuari tjetër Fatos Ahmeti, i cili akuzohej për veprën penale blerja, shpërndarja, posedimi ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite dhe dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë euro.

Më tutje, i akuzuari Gëzim Abazi, i cili akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite si dhe dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.

Gjithashtu, të akuzuarit Fatmir Statovci, Zeqir Berisha që akuzoheshin për ndihmë në kryerjen e veprës penale u dënuan me burg, ashtu që Fatmir Statovci me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 vite, ndërsa Zeqir Berisha me dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti.

Kurse i akuzuari Lutfi Nebiu ishte liruar nga akuza në ditën kur ishin dënuar të akuzuarit e lartshënuar.

Ky shqyrtim gjyqësor ka nisur nga fillimi, pasi Gjykata e Apelit me datën 27 dhjetor 2019, e kishte kthyer lëndën në rigjykim sa i përket të akuzuarve Gëzim Abazi dhe Lutfi Nebiu, kurse për të akuzuarit tjerë, aktgjykimi i Gjykatës se Gjilanit ishte vërtetuar.