Prapa grilave - Ilustrim

Gjakovë- Prokuroria kërkon paraburgim ndaj katër personave për grabitje

Prokuroria e Gjakovës, ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit, kundër  katër të pandehurve, G.V., S.P., J.P.,B.N., me dyshimin se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “ grabitje”.

Sipas njoftimit nga ana e Prokurorisë me datë 14.05.2019, rreth orës 19:30, në Gjakovë, pikërisht në rrugën “Uashington” katër të pandehurit, të përgatitur më herët për këtë lloj grabitje, e kanë pritur të dëmtuarin Rr. K., i cili kishte ardhur nga Prishtina për t`u takuar me të njëjtit, me qëllim të blerjes së narkotikëve.

Të pandehurit në fjalë e kishin ftuar të shkonte te vetura e tyre, dhe pasi e kanë shëtitur në drejtim të “Shkugëzës”,  me armë zjarri e kanë kërcënuar duke ia marrë 2,500.00 euro.

Të pandehurit G.V., S.P., J.P., dhe B.N., me urdhër të Prokurorit të shtetit janë në mbajtje nga data 15.05.2019, dhe i njëjti ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.