Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla - Foto: KALLXO.com

Dosjet që dëshmojnë se ish- kryeprokurori i Mitrovicës u pagua nga Qeveria e Serbisë 

Në zyrën e fundit në të majtë, në korridorin e katit të tretë në objektin e Komunës së Leposaviqit është edhe zyra që brenda saj u gjendën dëshmi që e bëjnë të qartë se avokatët nga Kosova u paguan nga Qeveria e Serbisë për të mbrojtur qytetarët serb të Kosovës.

Në mesin e këtyre dosjeve gjenden edhe dokumente që mbi to shkruan emri Shyqyri Syla, i cili deri para një kohë ishte në krye të atyre që do hulumtonin e zbardhnin rastet e korrupsionit, vrasjeve, keqpërdorimit të detyrës zyrtare e shumëçka tjetër, por edhe të kontrabandës.

Syla mbante postin e Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, e tashmë ai kryen detyrën e avokatit, shumicën e rasteve në rajonin e Mitrovicës, jug e veri.

E i njëjti përpos që mori para nga klientët e tij tash e një kohë, në një rast që ka zbuluar KALLXO.com u pagua edhe nga Qeveria e Serbisë.

Kjo pasi ish-kryeprokurori Syla, tashmë avokat, ishe kontaktuar nga klientja e tij, Jellica Baraq, e cila ka më shumë se dy muaj që ka vdekur, për ta mbrojtur atë në një rast.

Detaje nga pagesa që iu bë Sylës, dhe jo vetëm, sot janë duke u transmetuar në emisionin “Pagat nga Serbia” në “Kallxo Përnime”.

Dokumentet që u transmetuan në këtë emision dëshmojnë se si tre avokatë shqiptar nga Kosova u paguan nga Qeveria e Serbisë për të mbrojtur palë serbe.

KALLXO.com kontaktoi me avokatët në fjalë, ku në mesin e tyre është edhe vet ish-kryeprokurori i Mitrovicës.

Ai u njoftua se ekipi posedon dokumente që dëshmojnë se i njëjti mori para nga qeveria serbe, përmes një seri procedurave.

Në mesin e dosjeve që ruhen në arkivin e strukturave paralele serbe në Komunën e Leposaviqit është edhe dosja e Shyqyri Sylës, ku brenda saj ka fatura, ka dokumente nga posta, vendime të ish kryetarit të Komunës së Leposaviqit – Zoran Todiq, dokumente të nënshkruara nga shefi i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë – Petar Petkoviq, dokumente me xhirollogari bankare e dokumente të tjera.

E gjithë dosja që posedon KALLXO.com iu është prezantuar edhe vet Sylës, e ai pasi pranoi këto dokumente, përmes emailit – pasi tha se nuk ka kohë të tu takuar për intervistë – dha edhe shpjegimin e tij.

“Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë klient për të cilët kam pranuar mjete financiare  nga Qeveria e Serbisë” – tha Syla për KALLXO.com teksa pati shpjegim edhe për rastin e Jellica Baraq.

“Ju informoj se diku në muajin korrik të vitit 2021, data e saktë nuk më kujtohet, në zyrën time të avokatisë në Mitrovicë, e njëjta të cilën më parë nuk e kam njohur, ka ardhur dhe ka kërkuar që unë ta mbroj – përfaqësoj në çështjen penale kundër saj, që udhëhiqet në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Divizioni Special numër PS.nr.37/21 e për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK” – tha Syla.

Ai tutje shtoi se po atë ditë, janë dakorduar që ai të jetë mbrojtës i saj dhe janë marrë vesh edhe për pagesën për shërbimet që do ti kryej në emër të mbrojtjes, e në bazë të tarifës së Odës së Avokatëve të Kosovës.

“Po atë ditë e njëjta ma ka nënshkruar edhe autorizimin dhe kam filluar të punoj në këtë çështje.  Diku, pas tre ose katër muajsh (data e saktë nuk më kujtohet), prapë në zyrën time e njëjta më ka treguar se siç thoshte ajo, “se të gjithë e dinë se unë jam viktimë në këtë çështje penale”, dhe meqenëse vetëm unë punoj në familje, për këto arsye institucioni ku ajo punonte (Komuna paralele e Leposaviqit), ka shprehur gatishmërinë që të ia rimbursojë një shumë të mjeteve për mbrojtësin” – tha Syla.

Tutje ai shtoi se nga këto arsyeje pala e tij, Jellica Baraq ka kërkuar nga ish-kryeprokurori që t’i ndihmoj në këtë drejtim.

“Më ka lutur se a mundem që të ia nënshkruaj faturat e shpenzimeve që ajo do të mi sillte për shqyrtimet e mbajtura gjyqësore, dhe se krejt dokumentacionin rreth kësaj çështje dhe procedurat do ti rregullonte ajo vetë” – tha Syla.

I njëjti shpjegoi se përgjigja e tij ka qenë se atë do të vazhdoj ta paguaj siç ka qenë duke e paguar deri në atë kohë, pra sipas Sylës ashtu siç edhe ishin marrë vesh me rastin e nënshkrimit të autorizimit.

“Por , shpenzimoret për ri-mbursime dhe dokumentet që i duhen lidhur me këtë lëndë penale, do ti nënshkruaj pa asnjë problem nëse i sjell në zyrën time” – tha avokati.

Tutje ai shtoi se me pëlqimin e tij i ka rregulluar procedurat rreth këtij ri-mbursimi, dhe dokumentet të cilat pala i ka sjellur në zyrën e tij më pas vet ai i ka nënshkruar dhe vulosur.

Syla shtoi se diçka e tillë ndodhi “vetëm që ti ndihmoj në rimbursimin e këtyre shpenzimeve marrë parasysh gjendjen e saj ekonomike dhe shëndetësore, si dhe përballimin sa më të lehtë të shpenzimeve për mbrojtje”.

Syla në përgjigjen e tij tha se përveç kontratës dhe faturave, ku ai ka vënë nënshkrimin dokumentet tjera të cilat ekipi i KALLXO.com ia ka prezantuar nuk i ka parë kurrë.

“Këto dokumente, me aq sa mbaj mend, kanë qenë një kontratë për kryerjen e shërbimeve të mbrojtjes së të njëjtës, dhe faturat rreth pjesëmarrjes sime në shqyrtimet e mbajtura.  Të gjitha procedurat i ka kryer ajo, dhe ajo ka menaxhuar me llogarinë në të cilën janë derdhur mjetet financiare” – tha avokati.

Gjithashtu ai shtoi se nuk është në dijeni se a janë ri-mbursuar këto mjete të njëjtës apo jo, pasi tha se nuk i ka interesuar meqenëse pagesën për shërbimet e mija në këtë çështje penale i ka bërë pala – Jellica Baraq.

Ish-kryeprokurori gjithashtu bashkëngjiti një dokument si dëshmi, pra faturën nr 10/23 të datës 12 gusht 2023.

Ai tha se kjo faturë dëshmon se pagesën e fundit që i është bërë nga Baraq, dhe dëshminë për depozitimin e mjeteve në llogarinë e tij të të biznesit në BKT në Mitrovicë.

Syla gjithashtu tha se për këto mjete ka paguar tatimin në Republikën e Kosovës.

Lidhur me këto dëshmi që u gjetën, KALLXO.com kontaktoi me organet kompetente këtu në Kosovë, por edhe me Qeverinë e Serbisë.

Të vetmit që u përgjigjen për këto raste ishin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Depratamentin Special të së cilës edhe trajtohen rastet në fjalë.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se përfaqësimi i të pandehurve rrjedh nga autorizimi në mes të palëve dhe kjo është çështje personale në mes tyre. Për më shumë mund ti drejtoheni Odës së Avokatëve të Kosovës” – tha për KALLXO.com zëdhënësja pranë kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.

Të kontaktuar ishin edhe Oda e Avokatëve, por që nga ta deri në momentin e publikimit të këtij hulumtimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk u mor as nga Prokuroria Speciale e as nga Qeveria e Serbisë.