Avokati Hoxha i pa-interesuar për të treguar pse pranoi të marr para nga Qeveria e Serbisë
“Shiko, nuk kam nevojë as interes me marr pjesë në emision…” – kjo është përgjigja e Asdren Hoxhës, avokat në Republikën e Kosovës, i cili u pagua nga Qeveria e Serbisë për të mbrojtur palë në kontekste gjyqësore.
Hoxha, avokat i mirë-paguar në Kosovë, mori edhe para që u lëshuan me vendim të shefit të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë.
Një dosje bukur e gjerë iu është gjetur avokatit në zyrat e Komunës së Leposaviqit nga ekipi i KALLXO.com.
Kjo dosje në vete përmban dokumente të lëshuara nga Qeveria e Serbisë e edhe nga strukturat paralele serbe në Leposaviq.
Dokumentet në fjalë u prezantuan në “Kallxo Përnime” në emision “Pagat nga Serbia”, e dokumentet në fjalë dëshmojnë se Hoxha është një nga avokatët që u pagua nga qeveria serbe, e që në mesin e këtyre avokatëve janë edhe Faruk Korenica e ish-kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla.
Me të hulumtuar këtë dosje të Hoxhës, KALLXO.com ra në kontakt me avokatin. Ai u njoftua për dokumentet që posedon ekipi e edhe për arsyen se pse u kontaktua ai.
Mirëpo, Hoxha u shpreh i pa-interesuar për të dhënë sqarim për këtë çështje.
“Shiko, nuk kam nevojë as interes me marr pjesë në emision… Shkodrane, kalo mirë, shihemi, tung…” – janë përgjigjet e vetme që u arrit të merren nga Hoxha, i cili nuk ndau kohë as të dëgjoj kërkesën e ekipit deri në fund pasi ndali telefonin.
Dosja e Hoxhës e hulumtuar nga KALLXO.com është pothuajse e ngjashme me dosjen e Sylës e Korenicës.
Ajo çfarë shihet më shumë në dosjen e Hoxhës është se ka edhe dokumente që dëshmojnë se si faturat për pagesë fillimisht dërgoheshin në Graçanicë, e më pas përmes postës arrinin tek strukturat paralele serbe në Leposaviq.
Këto dokumente, që u prezantuan në emisionin “Pagat e Serbisë”, gjithashtu dëshmojnë se përmes cilave xhirollogari bankare u pagua Hoxha e edhe avokatët e tjerë.
Madje, gjatë kontrollimit të dosjes së tij, ekipi i KALLXO.com arriti të gjejë dokumente që përpos nënshkrimit e vulës së Hoxhës, pari edhe fotografi të avokatit.
Lidhur me këto dëshmi që u gjetën, KALLXO.com kontaktoi me organet kompetente këtu në Kosovë, por edhe me Qeverinë e Serbisë.
Të vetmit që u përgjigjen për këto raste ishin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Depratamentin Special të së cilës edhe trajtohen rastet në fjalë.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se përfaqësimi i të pandehurve rrjedh nga autorizimi në mes të palëve dhe kjo është çështje personale në mes tyre. Për më shumë mund ti drejtoheni Odës së Avokatëve të Kosovës” – tha për KALLXO.com zëdhënësja pranë kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.
Të kontaktuar ishin edhe Oda e Avokatëve, por që nga ta deri në momentin e publikimit të këtij hulumtimi nuk kanë kthyer përgjigje.
Përgjigje nuk u mor as nga Prokuroria Speciale e as nga Qeveria e Serbisë.